Analisti Martin Leka tha në studion e News24 se një opozitë me kryetarin e saj non grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe nuk mund të fitojë zgjedhjet. Ai shtoi se është absurd entuziazmi në radhët e demokratëve se rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do të sjellë heqjen e non gratës.
Leka shpjegoi edhe arsyet pse Donald Trump nuk mund të firmosë për nxjerrjen e Berishës nga lista e zezë.
“Problem për opozitën është non grata e Sali Berishës. Nuk besoj se do ketë vend anëtar të NATO-s apo kandidat për anëtar të BE-së të vijë në pushtet një opozitë me kryetarin non grata në SHBA dhe Britani. Këtë e di vetë edhe zoti Berisha. Mendoj se edhe deputetët e dinë, por kanë zgjedhur këtë drejtim. Problemi është që non grata nuk është ndarë nga PD-ja, por ndau PD-në. Nuk arriti dot ta kishte vetëm proces elektoral zoti Berisha, por në të gjithë aktivitetin politik duket qartë që ka lidhur fatin e vet dhe të non gratës me PD-në. Kjo duket nga fjalimet ndaj Blinken, bashkë me akuzat ndaj Dumanit, se janë ata që kanë ngritur grusht shteti. Ka një entuziazëm absurd me fabulën që tani që erdhi Trump në pushtet automatikisht do të hiqet edhe non grata. Është qasje e gabuar. Shqiptarët nuk e duan non grata Sali Berishën dhe persona të tjerë publikë, përveç kriminelëve, por kjo është një çështje që i përket vetëm DASH-it, politikës amerikane, që ka në themel Kushtetutën e SHBA dhe nuk është çështje personale qoftë kjo edhe e presidentit të SHBA për të hequr 160-170 non grata të shumë personaliteteve në vende të ndryshme të botës”, u shpreh Leka.
(BalkanWeb)