TIRANE- Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) prezantuan sot gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017”, i zhvilluar në nëntor 2017. Të pranishëm në aktivitet ishin Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i PNUD në Shqipëri Brian J. Williams, përfaqësues nga institucionet qeveritare, shoqëria civile, bota akademike, komuniteti ndërkombëtar etj.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi theksoi se përpjekjet e qeverisë shqiptare lidhur me reformat transformuese për të rritur besimin e qytetarëve në qeverisje janë reforma në drejtësi dhe vetting-u, operacioni “Forca e Ligjit” dhe vetting-u në radhët e policisë, si dhe reforma e shërbimeve publike dhe administrative. Znj. Mesi, duke u ndalur veçanërisht tek reforma e shërbimeve administrative, nënvizoi faktin se ajo po krijon një kulturë të re pune: atë të shërbimit dhe kujdesit ndaj qytetarit, si dhe ndaj klientit përmes përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të integruara e me një ndalesë/online. Ajo u shpreh: “Duke rindërtuar një sistem të ri vlerash, po shërojmë sëmundjen e cinizmit dhe mosbesimit ndaj shtetit. Shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë shërbime cilësore, të modernizuara dhe dixhitale që ua lehtëson jetën dhe punën dhe kjo rrit besimin tek shërbimet dhe administrata publike”.

Zëvendëskryeministrja Mesi sugjeroi gjithashtu që studimi në vitin e ardhshëm të përqendrohet veçanërisht tek shërbimet publike dhe administrative në nivel qendror. Në përfundim të fjalës, krahas përgëzimit e falënderimit për studimin, ajo ftoi të gjithë qytetarët, shoqërinë civile, median, akademinë, të rinjtë, bizneset dhe të gjithë aktorët që të bashkohen me përpjekjet e qeverisë në unitetin e qëllimit: përmirësim i jetës së qytetarit përmes rritjes ekonomike, përmirësimit të shërbimeve publike dhe luftës kundër korrupsionit.

Sondazhi i Opinionit 2017 “Besimi në Qeverisje” është zhvilluar për të pestin vit radhazi. Ai shqyrton perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi. Sondazhi është zhvilluar duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm.

Mbledhja e të dhënave është kryer gjatë periudhës 17-30 Nëntor, 2017. Një total prej 1648 qytetarësh janë intervistuar në 61 bashkitë e Shqipërisë. Sondazhi i Opinionit mbështetet nga PNUD Shqipëri përmes projektit “Mbështetje për Inovacionin kundër Korrupsionit: Ngritja e një Modeli Shërbimesh me në Qendër Qytetarin në Shqipëri”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: