6 pikë në 2 ndeshjet e fundit, 6 gola të shënuar, asnjë i pësuar, Laçi më në fund rikthehet të bëjë Laçin, dy fitore të pastra në shtëpi që rifusin në garë ekipin kurbinas. Efekti Cungu po fillon të ketë ndikim, bardhezinjtë duken një ekip i transformuar, me shumë grindë, me dëshirë dhe mbi të gjitha fitues. Armando Cungu përballë Vllaznisë është një dialog i hershëm, sërish tekniku shkodran arrin të thyej ish ekipin e tij duke bërë që diferenca mes dy klubeve të jetë vetëm 2 pikë. Laçi përkëdhel Nwabuezen, njeri i momentin, sulmuesi më në formë i Superligës, autor i 7 golave këtë edicion, golashënuesi më i mirë.

Në një ndeshje të luftuar për çdo top dhe të spostuar në mesfushë, Nwabueze ishte ai që bëri diferencën, fillimisht në minutën e 39-të duke kaluar Laçin në avantazh me një të djathtë të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë.

Historia përsëritet sërish me fillimin e pjesës së dytë, këtë herë Nwabueze ishte thjeshtë fantastik. Me një aksion personal, nigeriani depërtoi deri në zonën e Vllaznisë dhe me një goditje shumë të bukur realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Laçin.

Vllaznia ishte e pafuqishme për të reaguar, jo vetëm kaq por me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 60-të, Laçi kapi të papërgatitur mbrojtjen shkodrane, Regi Lushkja vallëzoi në zonë duke shënuar dhe golin e tretë, një gol që vulosi fatet e këtij takimi, një gol që rikthehen Laçin në garë për objektiva të rëndësishëm ndërsa Vllaznisë e vetmja gjë që i mungon për momentin është vazhdimësia.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb