KOPLIK – “Mësuesja më qëlloi pasi e shtyva dhe e ofendova unë i pari”. Kështu ka deklaruar 13-vjeçari me inicialet E.C., i cili u dhunua nga mësuesja e matematikës në shkollën “Prekë Gjoni”, në Bajzë të Koplikut. Gazeta “Panorama” shkruan sot se i mituri është shprehur se ishte penduar për sjelljen e tij ndaj mësueses, së cilës ai i kishte prishur orën e mësimit duke biseduar e bërë gallata me shokun e tij. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bënë të ditur se i mituri, nxënës i klasës së shtatë, është marrë në pyetje i shoqëruar nga prindërit dhe në prezencë të psikologes. Ai ka rrëfyer gjithçka kishte ndodhur ditën e enjte, gjatë orës së matematikës në klasën e 7-të A, me mësuesen Suela Piranaj.
“Ndërkohë që mësuesja po shpjegonte mësimin, unë u ngrita nga banka ime dhe shkova te një shok në rreshtin tjetër të klasës. Mësuesja më kërkoi disa herë që unë t’i lija fjalët dhe të kthehesha në bankën time, pasi ajo po shpjegonte mësimin. Por unë nuk ia vura veshin asaj dhe vazhdova bisedën e shakatë me shokun tim. Në këtë kohë mësuesja më afrohet dhe më kërkon me ton e me ngulm që unë të kthehem në bankën time, pasi po i prishja orën e mësimit. Por unë nuk e di se si më erdhi dhe e shtyva mësuesen dhe e ofendova atë. Më pas, ajo më mori me vete dhe më qëlloi disa herë që të ulesha në bankë”. Kështu ka deklaruar në Policinë e Shkodrës nxënësi i dhunuar, videoja e të cilit u shpërnda shumë shpejt në rrjetin social, pasi nxënës të tjerë të klasës kanë nisur të filmojnë sherrin mes tij e mësueses duke fiksuar pamjet, ku dukej qartë mësuesja duke e qëlluar me shpulla. Sipas burimeve, fëmija ka shprehur pendesë për reagimin që ai ka bërë ndaj mësueses. “As vetë nuk e di pse reagova në atë mënyrë ndaj mësuese Suelës pasi, pas asaj që kemi kujdestare, ajo është mësuesja që unë dua më shumë”, mësohet të ketë pohuar nxënësi 13­vjeçar. Menjëherë pas bërjes publike të videos, Policia e Shkodrës ka arritur të identifikojë shkollën ku ka ndodhur ngjarja, si dhe emrin e arsimtares e të nxënësit, i cili shihet në video të goditet nga mësuesja e tij. Videoja që u hodh ne rrjetin social shkaktoi reagim të ashpër, duke e konsideruar ngjarjen si një skandal që ndodh rëndom nëpër shkolla, ku mësuesit thyejnë çdo kod etike e rregullore duke qëlluar fëmijët. Për këtë shkak pati reagim edhe nga Ministria e Arsimit, e cila pezulloi mësuesen 35­vjeçare, që kishte rreth 10 vjet punë si mësuese e matematikës në shkollën ku ndodhi ngjarja. Ajo është marrë në pyetje nga Policia, ku pranoi dhunën ndaj nxënësit të saj, duke pohuar se gjithçka kishte ndodhur në një moment nervozizmi, pasi fëmija i kishte prishur orën e mësimit. Me gjithë këtë ngjarje, familja e 13­vjeçarit nuk ka bërë asnjë denoncim ndaj mësueses. Aktualisht mësuesja është në hetim në gjendje të lirë, ndërsa nuk rezulton që ndaj fëmijës të jetë kryer ekspertizë mjekoligjore, pasi nuk ka shenja të dukshme dhune.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb