Nxënësit e gjimnazit “Eqerem Çabej” iu bashkuan aksioni të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve në zonën e Parkut të Porcelanit. Në nisje të sezonit të ri të mbjelljeve, një nismë që synon të transformojë Tiranën në një qytet më të gjelbër, kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi nxënësit për angazhimin e tyre dhe vuri theksin tek rëndësia e investimit në brezat e rinj.

“Pemët që mbjellim sot në Parkun e Porcelanit nuk do ta bëjnë hijen sot, ndoshta as pranverën tjetër, por do ta bëjnë në një kohë tjetër, për të dhënë mesazhin se një brez duhet t’ia lërë pajë një brezi tjetër një gjë më të mirë se sa ajo që gjeti”, tha Veliaj.

Duke përmendur sfidat e mëdha për ruajtjen e hapësirave publike, Veliaj kujtoi beteja të suksesshme, si rikthimi i shkollave “Kosova” dhe “Betim Muço”, nga projekte pallatesh në institucione arsimore apo ruajtja e fushës së madhe në Laprakë për komunitetin. “Zakonisht, kritikët më të mëdhenj të hapësirave të gjelbërta kanë nga 3-4 shtëpi apo vila. Nga divani është shumë kollaj të kritikosh, por e gjithë pjesa përtej stacionit të trenit dhe “Bulevardit të Ri” kanë qenë sera. Ti nuk e zhbën dot atë realitet që ke gjetur, por disa beteja duhet t’i bësh. Për shembull, beteja për të marrë shkollën ‘Kosova’ apo ‘Betim Muço’, nga pallat për t’i kthyer në shkolla, apo për të marrë fushën e madhe në Laprakë, e cila ishte e destinuar për pallat, për ta mbajtur fushë për komunitetin”, tha ai.

Ai shtoi se Tirana, që ka përjetuar një transformim të madh në dekadat e fundit, ka nevojë të vazhdueshme për hapësira të gjelbërta për të përballuar rritjen demografike dhe turistike. Veliaj inkurajoi të rinjtë dhe qytetarët që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në aksione të ngjashme, duke i kthyer mbjelljet në një traditë për festa, përvjetorë apo raste të tjera të veçanta.

“Betejat për qytetin janë shumë të rëndësishme dhe duhet të zgjedhim cilat beteja të bëjmë. Kjo hapësirë në Porcelan ka qenë një betejë gjithashtu, e cila ishte e destinuar për ndërtim, ndërkohë këmbëngulja jonë për ta ruajtur si një hapësirë të Njësisë 3 dhe Njësisë 4 ia vlejti. E them shpesh se detyra jonë nuk është që t’i pëlqejmë të gjithëve, detyra jonë është që t’u shërbejmë të gjithëve”, theksoi ai.

Aksione të tilla mbjelljesh do të vazhdojnë në ditët në vijim, duke përfshirë festa si Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb