Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit,kanë organizuar sot një dëgjesë publike me përfaqësues të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj. Vendi i zgjedhur për takimin ishte fshati Kapinovë, ndërsa pjesëmarrja e punonjësve të bashkisë së Poliçanit në këtë takim, u bë shkak për debatet e ashpra që u krijuan mes palëve në fillim të takimit.

Për gati 30 minuta dëgjesa publike u shndërrua në një arenë të ashpër debatesh. Pronarët e firmave të gurit dekorativ e kanë cilësuar formal dhe pa kuptim të ashtëquajturën dëgjesë publike, pasi siç u shprehën vetë ata në takim, firmat e kanë fituar gjyqin me ADZM-në dhe Ministrinë e Mjedisit.

Pas Vendimit të Gjykatës Administrative që rrëzoi VKM-në e qeverisë për shpalljen e Malit të Tomorrit “Park Kombëtar”, pronarët e firmave kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të punës në zonën e Novajt dhe arsyet se përse po pengohen me polici për të filluar punën.

Drejtori i AKZM-së, Zamir Dedei tha se vendimi i Gjykatës Administrative po shqyrtohet nga specialistët, të cilët do të ndërmarrin edhe hapat e mëtejshme ligjore, pasi për AKZM-n,  është mjaft e rëndësishme pjesa teknike e projektligjit të qeverisë që kërkon ta shpallë Tomorrin “Park Kombëtar”,në mënyrë që vlerat dhe burimet natyrore të zonës të kthehen në vlera monetare.

Sipas Dedeit, ka qënë një kërkesë e bërë nga AKZM-ja që firmat mos të fillojnë punën dhe mos të zbatohej vendimi i gjykatës, pasi kjo drejtori ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi. Dedei pohoi se, do shqyrtohen të gjitha argumentet e parashtruara nga pronarët e firmave dhe më pas do u kthehet edhe përgjigje.

Edhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi ka deklaruar në takim se do të shqyrtohen ankesat e firmave dhe do të zhvillohet me ta një tjetër takim ku do të marrin edhe përgjigjet e kërkuara.

Në asnjë moment Konomi nuk ju përgjigj pyetjeve të firmave që i kërkonin se përse ai vetë personalisht ka firmosur “lejet mjedisore” për këto firma, ndërkohë që menjëherë pas takimit ai është larguar dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb