Policia e Korçës ka vënë në pranga 2 shtetas pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin shisnin lëndë narkotike.
Policia e Korçës thotë se 24-vjeçari kishte organizuar një 60-vjeçar që të shpërndante dozat e kokainës pasi vet ishte nën masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’’.
Policia thotë se ka sekuestruar lëndën narkotike të ndarë në doza, teksa 2 bashkëpunëtorët kanë rënë në pranga.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Përqindja”.
Kishte angazhuar një shtetas tjetër, për të shitur doza Kokaine, sepse vetë ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë krim, kapet jashtë banesës dhe vihet në pranga 24-vjeçari.
Në pranga dhe shtetasi tjetër. Në banesën e tij u gjetën sasi Kokaine e ndarë në doza, një bajonetë dhe një shkop gome, që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, për një rast të shitjes së dozave të Kokainës, në afërsi të ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë, në lagjen nr. 10., Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Përqindja”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. Sh., 60 vjeç dhe M. K., 24 vjeç.
24-vjeçari, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u kap jashtë banesës, në cenim të kësaj mase sigurie. Nga hetimet dyshohet se ai kishte angazhuar shtetasin P. Sh., për të shitur doza Kokaine. 60-vjeçari e kryente këtë veprimtari kriminale, në këmbim të një pjese të fitimeve të siguruara nga shitjet e dozave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)