TIRANË- Deputeti demokrat Tritan Shehu ka reaguar pas fjalëve të kryeministrit Edi Rama sot në Asamblenë Kombëtare të PS-së ku ndër të tjera foli edhe për shëndetësinë, kushtet si ishte gjetur dhe si është sot.

Duke përdorur një shprehje latine të Ciceronit, Shehu thotë se edhe një bejte e kënduar pas mesit të natës do shprehte më tepër se fjala e kryeministrit.

Fakti që kryeministri nuk foli për strategji e koncepte zhvilluese për shëndetësinë, tregon për Shehun shterpësinë e qeverisë.

STATUSI I TRITAN SHEHUT
O tempora, o mores!
Mbasi dëgjova fjalën e Kryeministrit sot në Asamblenë e PS për qeverisjen, krejt aktuale me tingëlloi mua kjo thirrje e dëshpëruar e dikurshme e Ciceronit!!
Të dashur miq, e dëgjuat çfarë tha e projektoi Z. Rama sot edhe për shëndetësinë tonë!?
A kuptuat ndonjë mesazh, ide apo konkluzion nga e gjithë ajo “shfaqje”?
Edhe një “bejte” e kënduar diku mbas mesit të natës do të shprehte më tepër.
Foli për “thika të ndryshkura që çanin barkun e pacientëve”, foli për “mjekë e personel mjekësor, që kishte gjetur pesë vite më parë në spitale, të ngjashëm këta me keqbërës ordinerë” etj.
Por nuk tha asnjë fjale për gjendjen katastrofale të sotme, për strategji e koncepte zhvilluese, as për “shëndetësinë falas”!
Në fakt në tërësi nuk tha asgjë të tillë.
Dhe kjo besoj se ju bën të kuptoni shterpësinë e kësaj qeverisje, pa perspektivën e vendit me këtë Kryeministër, rrokullimën ku po shkojmë me shpejtësi kështu.
Çfarë fatkeqësie që duhet përballuar kjo, për këtë popull!
O tempora, o mores!

Tritan Shehu fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb