Luhen shumë gjëra bashkë në 90 minuta, një miks emocionet të kundërta, objektiva të ndryshëm, lojtarë të ndryshëm dhe natyrisht ato dy fanella që kanë shenjuar historinë e futbollit shqiptar. Derbi Partizani-Tirana është më shumë sesa një ndeshje futbolli, ajo është ndeshja vetë.

Partizani dhe Tirana janë në pole të kundërta në renditje, por në një derbi diferencat zerohen dhe rëndësi ka segmenti kohor nga vërshëllima e parë e gjyqtarit deri tek e fundit. Mes tyre janë minutat që do të vënë një tjetër tullë në murin e madh të historisë së derbit.

Partizani kryesues kërkon fitoren për t’u shpallur kampion në sfidën ndaj rivalëve të mëdhenj. Tirana kërkon të fitojë për të siguruar tre pikë të arta për mbijetesën, por pse jo, ta shtyjë suksesin e kuq për ndeshjen e radhës. Skënder Gega nuk do të ketë një treshe lojtarësh që kanë mbatur peshën e sezonit si Telushi, Asani dhe Mensah, ndërsa Mema pas dy fitoreve radhazi, shpreson te aspekti psikologjik i të tijve për ti dhënë fund thatësirës 1920 ditore ku Tirana nuk fiton një derbi.

Tifozëritë janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve. “Guerrilsat” do jenë si gjithnjë pranë ekipit dhe biletat po shiten me ritme të shpejta, “Fanatiksat” kanë bojkotuar sfidën pasi nuk pranojnë të vijnë si miq në “Selman Stërmasi”, por tifozët bardheblu natyrisht që do të jenë aty.
Se çfarë do të ndodhë dhe kush do të gëzojë, mbeten për t’u parë, por diçka është e sigurt, derbia ia vlen të shijohet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb