Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë duke i “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit, pasi të mërkurën dështoi të mbahej një takim i paralajmëruar trepalësh i liderëve të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.

“Takimet e sotme të Josep Borrell me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien në X.

SHBA-ja, që mbështet dialogun e Brukselit, vazhdimisht u kërkon palëve t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se të mërkurën në Bruksel nuk u mbajt takim trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të dyja shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar “terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell gjatë një konference për media të mërkurën.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u arrit më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj më 18 mars 2023 në Ohër, nuk janë nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiq, sepse udhëheqësi serb nuk ka pranuar ta bëjë këtë, me gjithë këmbëngulësinë e liderit kosovar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: