NGA ERJON SKËNDAJ*

TIRANË- Kërkesa e parë për ndërtimin e një xhamie të madhe ne Tiranë daton që në vitin 1938, dëshirë kjo që është dashur të presë 77 vite pavarësisht përpjekjeve të Komunitetit Mysliman. Për 45 vitet e sistemit monist ideja e xhamisë së madhe u harrua pasi diktatura shembi me dhunë edhe ato objekte kulti, të ndërtuara duke vrarë, burgosur dhe persekutuar klerikët, ndërsa besimi fetar u shpall i paligjshëm. Pas viteve 90 Komuniteti Mysliman Shqiptarë nisi të ndërtojë xhami të reja dhe paralelisht të shtronte në qeveri dhe pranë pushtetit vendorë kërkesën imediate për marrjen e lejes dhe ngritjen e xhamisë së madhe të Tiranës.

Për më shumë se dy dekada politika majtas dhe djathtas dha vetëm premtime dhe projekte në letër që nuk u konkretizuan në terren. Në çdo rast pengesa kryesore ishte toka ku do të duhej të ndërtohej xhamia. Në vitin 2010 ish-kryebashkiaku Edi Rama hodhi idenë e ngritjes së Xhamisë së Madhe, aktualisht lulishtja pas pallatit të kulturës.

Projekti mbeti një iluzion për besimtarët mysliman pasi ende në fazën e diskutimit ndodhi rrotacioni politik në bashkinë tiranë dhe projekti shumë i debatuar u harrua dhe u braktis nga të djathtët. Kjo edhe për faktin se projekti-deja kishte të bashkangjitur edhe konstruksionin e një objekti që do të shërbente si muze për historinë e viteve të përsekutimit komunist ndaj klerit fetar në përgjithësi.

Por problemi më i madh ishte ai i pronësisë mbi tokën ku parashikohej të ndërtohej xhamia. Trashëgimtarët e truallit e kundërshtuan projektin e kryebashkiakut. Edhe vetë komuniteti mysliman nuk u tregua entuziast për idenë e kryet të bashkisë për shkak të konfliktit që trashëgonte trualli i parashikuara për xhami.

Me ardhjen e të djathtëve në drejtimin e bashkisë tiranë në 8 maj 2011 çështja e xhamisë së madhe u shtrua sërish për diskutim por këtë herë propozimi erdhi nga vetë komuniteti mysliman për ndërtimin e xhamisë në një pronë të komunitetit mysliman që ndodhet përballë selisë së këtij të fundit dhe njëherazi në krah të Parlamentit të Shqipërisë. Por toka e njohur nga Tiranasit si Namazgjaja nuk mjaftonte për të vënë në jetë projektin e bashkisë për ndërtimin e një xhamie të madhe që do të akomodonte mbi 5 mijë besimtarë në ambientet e brendshme të saj.

Por për të vënë në jetë projektin ambicioz që do duhej të kushtonte dhjetra milion dollarë duhej më shumë sipërfaqe truall ndaj dhe komuniteti mysliman dhe bashkia e Tiranës nisën diskutimet me trashëgimtarët e familjes Kruja, pronat e të cilit kufizojnë sheshin e Namazgjasë. Marrëveshja e arritur u duk se kënaqi të dyja palët, komuniteti mysliman do të ndërtonte xhaminë e shumënderuar prej 77 vitesh ndërsa familja Kruja që do të dhuronte një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë për xhaminë do të përfitontë të drejtën që ngjitur me objektin fetarë të mund të ndërtonte dy ndërtesa kulla që do të shërbenin si aktivitet biznesi projektuar si një kompleks multifunsksional.

kështu Në një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë, në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës do të ndërtohej xhamia e re, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkonte në 50 metra. xhamia do të kishte një kapacitet mbi 5000 që do të faleshin njëkohësisht. Vlera e objektit të kultit ishte përcaktuar do të kushtonte 40 milionë euro dhe ku krah të xhamisë do të ngrihej edhe godina e re e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

firmosja e marrëveshjes midis qeverisë dhe komunitetit mysliman u bë në 20 Prill 2013, në sheshin e Namazgjasë ku dhe do të ndërtohej Xhamia e madhe, në prani të mijëra qytetarëve dhe besimtarëve myslimanë. Në të morën pjesë morën pjesë kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Tiranë Lulzim Basha, liderë të komuniteteve fetare, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.

Por edhe pse gjithçka u duk se u zgjidh njëherë e përgjithmonë dhe se xhamia do të niste dhe do të ndërtohej edhe njëherë rrotacioni politik do të provokonte bllokimin e punimeve të saponizura nuk e ngrirë projektin. Ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama do të firmoste si kryetar i Këshillit Kombëtarë të Territorit bllokimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë me arsyetimin se leja e bashkisë ishte në kundërshtim me rregullat e urbanistikës dhe se nuk mund të bashkëjetonin në të njëjtin truall xhamia dhe kullat shumëkatëshe të biznesit. Vendimi provokoi një reagim të menjëhershëm të bashkisë së Tiranë, familjes Kruja dhe vetë Komunitetit Mysliman Shqiptarë. Ndërsa përplasjet politike qeveri bashki, si dhe kundërshtitë e pronarëve të tokës që akuzuan se do ta çonin çështjen në gjykatë vijonin në publik, myslimanët edhe pas 77 vitesh vazhdonin ti kryenin ritet e tyre fetare në rrugë, në shi e në vapën përvëluese, dëshmi e këtij fakti janë të premtet që mbushin trotuaret dhe rrugën pranë xhamive me qindra besimtarë për të kryer ritualin e faljes. paralelisht nga komuniteti mysliman shqiptarë pati deklarata me tone të ashpërsuara drejtuar qeverisë që kjo e fundit t’i jepte zgjidhje ngërçit të krijuar.

Historia e stërzgjatur e rropatjeve të myslimanëve shqiptarë për të patur një xhami të madhe të Tiranës më shumë se kurrë duket afër finishit. Në 27 Nëntor 2014 kryeministri Edi Rama firmosi lejen e re të xhamisë ku qeveria merrte përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të truallit mbi të cilin ndërtohet ky objekt kulti. Projekti i ri i xhamisë së madhe i ribërë nga e para veç ndërtimit të objektit të kultit parashikon ndërtimin e një qendre kulturore, ambiente shërbimi, zyra, salla konferencash, si dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: