Kanë kaluar 20 vjet nga tragjedia në Picar të Gjirokastrës, ku 4 oficerë ushtrie ndërruan jetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Në maj të vitit 1997 u dërguan 15 oficerë nga divizioni “Labëria” në një operacioni për grumbullimin e municioneve luftarake ne grup depot e Picarit, ku humbën jetën 4 oficerë të shtabit të njësisë Gjirokastër. Vladimir Çumaku, Bardhyl Këlliçi, Albert Lela dhe Ferdinand Dosti u shpallën dëshmorë të atdheut. Edhe pas kaq shumë vitesh ende apelohet për më shumë përkujdesje nga Ministria e Mbrojtjes dhe organet ligj zbatuese të këtij vendi. Pëllumb Shalari, një nga të mbijetuarit e asaj ngjarjeje të rëndë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”rrëfen historinë për ndarjen në mënyrë tragjike të kolegëve, njëkohësisht edhe shokëve të tij. Ai risjell në kujtesë çastet më të vështira të jetës së tij, ndërsa apelon qe shteti të ushtrojë më shumë vë- mendje për raste të tilla.

Pëllumb Shalari, oficeri i mbijetuar
Pëllumb Shalari, oficeri i mbijetuar

Divizioni i njësisë Gjirokastër 20 vjet më parë u nis në një mision, cili ishte shkaku?
Ishim 15 oficerë të shtabit të divizionit “Labëria” Gjirokastër. Në 15 maj 1997 ne ndërmorëm një mision të vështirë, atë të grumbullimit të municioneve dhe eksplozivëve të shpërndara nga trazirat e ’97. Këta përbënin një rrezik vdekjeprurës për banorët e zonës dhe vetëm ne mund ta përballonim këtë rrezik, dhe e bëmë.

Kush u vendos në krye të këtij operacioni?
Ish-shefi i armatimit të njësisë, Vladimir Çumaku drejtoi zbatimin e masave në grumbullimin dhe sistemimin e arsenaleve ushtarake. Atë ditë ai sa kishte dorëzuar shërbimin e oficerit të rojës kur mori një telefonatë nga e shoqja, e cila po e priste në shtëpi, por Vladimiri i tha se nuk kishte mundësi dhe u nis për në misionin që i ishte caktuar.

Çfarë ndodhi gjatë evakuimit të municioneve?
Filluam me shumë kujdes, grumbulluam predhat e para dhe i sistemuam në karroceri të makinës. Vazhduam disa çaste kështu nën tension dhe ankth. Me duart te predhat u përballëm me barutin përvëlues. Por operacioni u ndesh me të papritura që në fillim dhe tragjedia ndodhi që në orët e para. Grup depot e municioneve luftarake shpërthyen në flakë, zjarri erdhi sa hap e mbyll sytë. Askush nuk e kuptoi nga erdhi shkëndija që ndezi një seri predhash. Për orë të tëra zona e Picarit përjetoi tmerr dhe tension. Predhat filluan të shpërthenin në seri dhe 15 oficerët në mision u prekën nga rrezja e këtyre shpërthimeve.

A pati një moment paralajmërues apo shpërthimi ishte i menjëhershëm?
Nuk pati një moment paralajmërues. Në momentin që ndodhi shpërthimi, nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Dola nga zona e zjarrit dhe pashë të më kalonte përpara Vladimir Çumakun dhe Arben Çelën. Trupi i tyre po mbulohej nga flakët dhe ndërkohë që digjej ato vraponin për të gjetur sadopak shpëtim. Në çast mu gjend pranë Ferdinand Dosti, i cili dhe pse ishte në gjendje të keqe, mu afrua dhe më kërkoi të ndihmonin Albertin dhe Bardhin, të cilët kishin mbetur mbi karroceri të makinës duke sistemuar predhat dhe nga çasti në çast pritej një shpërthim tjetër. U dëgjua një gjëmim i tmerrshëm dhe nuk munda të kuptoja më asgjë, shumë vonë mora vesh se ç’ kishte ndodhur.

Kush ju ndihmoi pas shpërthimit?
Nga zhurma e shpërthimeve dhe britmat u mblodh i gjithë fshati dhe u përpoq të na japë ndihmën e parë, dhe më pas u dërguam për në spitalin e Gjirokastrës. Disa prej nesh prej plagëve të rënda u nisën për në Greqi. Por 4 prej shokëve të mi kolegë nuk mundën të mbijetonin. Kështu katër nga oficerët e divizionit “Labëria” ranë në krye të detyrës, duke shkuar më ndërgjegje drejt rrezikut.

Intervistën e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/25/oficeri-i-ushtrise-si-shpetova-gjalle-nga-shperthimi-i-municioneve-ne-97-en-4-shoket-me-vdiqen-para-syve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb