Nga KLODIANA LALA*

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëron ngrirjen e llogarive bankare të nëntë personave të dyshuar si pjesëtarë të organizatës kriminale, e cila trafikonte drogë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, ku mes të arrestuarve është dhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Hetimi pasuror për të dyshuarit, që u arrestuan në kuadër të operacionit “Xibraka”, gjatë të cilit u zbulua një laborator modern për përpunimin e drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit dhe u sekuestruan sasi të mëdha kokaine, nisi paralelisht me hetimin për organizatën kriminale. Kjo, pasi të gjitha pasuritë që zotërojnë personat e përfshirë në rrjetin e trafikut, sipas organit të akuzës, dyshohet t’i kenë vënë nëpërmjet veprimtarisë kriminale. Ndaj, veprimi i parë i ndërmarrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është ngrirja e llogarive që kanë të dyshuarit në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend. Duke qenë se bëhet fjalë për një periudhë shumë të shkurtër të hetimit, që prej momentit kur u vunë në pranga nëntë të dyshuarit e parë, prokuroria është duke listuar emrat e personave të lidhur me ta, në lidhje gjinore apo lidhje të tjera të afërta, pasi do të kërkohet dhe hetimi i pasurive të tyre. Prokuroria është shumë e rezervuar për të dhënë për momentin të dhëna lidhur me pasuritë e nëntë të arrestuarve, në kohën kur dy prej tyre janë shtetas kolumbianë, të cilët u kapën në laboratorin e përpunimit të drogës në Xibrakë, por në ditët në vijim do të kërkojnë informacion nga bankat, zyrat e pasurive të paluajtshme apo institucione të tjera. Gjithashtu, dyshimet se këta të dyshuar kanë transportuar para në bankat jashtë vendit, kanë bindur prokurorinë që të kërkojnë bashkëpunim me disa shtete, për të kryer verifikimet e duhura.

Hetimet për grupin

Ndërsa të dyshuarit, Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Kelment Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, Ermal Hoxha, Kastriot Imeri dhe dy kolumbianët Cesar Avila e Valther Moreno, ndodhen në paraburgim pasi dyshohen si pjesëtarë të organizatës kriminale, prokuroria ka piketuar të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Nga përgjimet telefonike dhe ambientale, që janë dhe prova e fortë e prokurorisë ndaj të dyshuarve, kanë dalë në dritë edhe emra të personave të tjerë, roli i të cilëve në organizatë po hetohet. Mes të tjerësh, po hetohet edhe bashkëjetuesja e Ilir Hysenit, E.P., e cila duket se është e përfshirë në organizatën kriminale. Nga hetimet e deritanishme, është zbardhur linja e trafikut ndërkombëtar, ku të dyshuarit siguronin kokainën, e trafikonin në Shqipëri përmes Turqisë dhe pasi e përpunonin në laboratorin e Xibrakës, e dërgonin në vendet europiane, ku ishte destinacioni final. I dyshuari si organizator i trafikut është Ilir Hyseni, ndërsa dy kolumbianët, sipas prokurorisë, kryenin rolin e ekspertit për ndarjen e kokainës nga substanca me të cilën vinte e përzier.

 

Vërtetohet se Ermal Hoxha ka në pronësi 2 makina, shtëpi në periferi

Hoxha u arrestua në Durrës në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij, një grup ekspertësh zbarkuan në një shtëpi në një nga zonat periferike të Tiranës, ku nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, pretendon se jeton me qira. Në këtë shtëpi, nuk është zbuluar asgjë komprometuese e si për të bindur drejtësinë që është i “varfër”, Ermal Hoxha, kontratën e qirasë së shtëpisë do ta paraqesë para organeve hetimore. Avokati i Hoxhës, deklaroi në fakt, se i mbrojturi prej tij është i papunë, jeton me qira dhe pranoi se kishte shoqëruar dy kolumbianët si taksist, për interesat e tij ekonomike. Madje, avokati shkoi edhe më tej, kur tha se Hoxha nuk ka në pronësi asnjë makinë dhe shoqërimin e kolumbianëve e ka bërë me makinën e të vëllait të tij. Ndërsa nga të dhënat e Drejtorisë së Transportit Rrugor, rezulton se Ermal Hoxha ka në pronësi dy automjete. Duke shkuar dhe më tej, nga verifikimet e Prokurorinë së Krimeve të Rënda, veç faktit që Ermal Hoxha është fotografuar në shoqërinë e kolumbianëve dhe emri i tij del në përgjime, rezulton gjithashtu që ai të ketë udhëtuar jashtë Shqipërisë jo pak herë, çka ngre dyshime të forta për aktivitetin e tij. Por ndërsa të gjithë të dyshuarit pretendojnë se nuk kanë lidhje me trafikun e kokainës, vetëm dy kolumbianët kanë pranuar përpara prokurorisë se kanë ardhur në Shqipëri si ekspertë për përpunimin e drogës, por se nuk kishin marrë asnjë qindarkë nga sa u ishte premtuar.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: