Ofensiva e ndërmarrë nga Turqia kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë ka shkaktuar zhvendosjen e 100 000 personave, theksuan sot Kombet e Bashkuara.


“Rreth 100 000 persona kanë lënë tashmë shtëpitë e tyre”, theksoi OKB në një komunikatë të publikuar në ditën e tretë të ofensivës turke.


Pesë anëtarë europianë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i kërkuan Turqisë për të ndërprerë veprimet ushtarake të njëanshme në Siri, në një deklaratë, në përfundim të një takimi urgjent me dyer të mbyllura.


“Pesë vende europiane, Franca, Gjermania, Belgjika, Britania e Madhe, Polonia, nuk kanë mundur t’i bashkojnë të gjithë partnerët e tyre të Këshillit në deklaratën e tyre”, sipas diplomatëve.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, siguroi sot se BE nuk do ta pranojë shantazhin e bërë nga presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili kërcënoi se do të dërgonte miliona migrantë në Europë, si kundërpërgjigje ndaj kritikave mbi ofensivën turke në Siri.

“Nëse ju përpiqeni ta paraqisni operacionin tonë si një pushtim, ne do t’u hapim dyert dhe do të dërgojmë drejt jush rreth 3,6 milionë migrantë”, tha dje Erdogan, një ditë pas fillimit të ofensivës turke kundër milicisë kurde në veri të Sirisë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb