Të paktën 17.500 fëmijë janë liruar nga grupet e armatosura që nga viti 2017 në Republikën Demokratike të Kongos, sipas një zyrtari të UNICEF-it në vend.
Duke folur në një konferencë për mediat në kryeqytetin Kinshasa, përfaqësuesi i UNICEF-it në RD të Kongos, Edouard Beigbeder tha se vetëm në vitin 2021, më shumë se 3.300 fëmijë ose u arratisën ose u liruan nga grupet e armatosura.
Ai potencoi grupin e milicisë Mai-Mai, Forcat Demokratike Aleate (ADF) dhe milicët e Kooperativës për Zhvillimin e Kongos (CODECO) në provincat e Kivu-s Veriore, Kivu-s Jugore dhe Ituri-t, midis grupeve të armatosura që përdorin fëmijët.
Rreth 10 mijë fëmijë kanë përfituar deri më tani nga programet individuale ose kolektive të riintegrimit në familjet dhe komunitetet e tyre, tha ai.
Shpesh fëmijët që ikin nga grupet e armatosura kanë nevojë për lloje të ndryshme mbështetjeje në varësi të ekspozimit të tyre.
“Këta fëmijë kanë trauma të ndryshme në varësi të përvojës së tyre. Disa u përdorën në kuzhina, disa ishin shërbyes, të tjerë ishin ndër ata që kryen dhunë, ndërsa disa prej tyre pësuan dhunë seksuale”, tha Beigbeder para gazetarëve.
Është vërejtur një përparim i konsiderueshëm në luftën kundër rekrutimit të fëmijëve ushtarë, sipas Misionit të Stabilizimit të OKB-së në RD të Kongos (MONUSCO).
Por, Beigbeder tha se mbështetja për riintegrimin socio-ekonomik dhe shkollor të fëmijëve të larguar nga grupet e armatosura mbetet një sfidë.
Pa riintegrim socio-ekonomik, fëmijët mund të kthehen lehtësisht në male, shtoi ai.
Forcat e Armatosura të RD të Kongos (FARDC) janë hequr nga lista e zezë e OKB-së të ushtrive që rekrutojnë dhe përdorin fëmijë.
Rekrutimi dhe përdorimi i fëmijëve nga forcat dhe grupet e armatosura përkufizohet si krim lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Një sfidë dhe prioritet kyç i OKB-së është angazhimi me aktorët jo institucional për t’i dhënë fund dhe parandaluar shkeljet e rënda ndaj fëmijëve.
Provincat lindore të RD të Kongos (Kivu Verior, Kivu Jugor dhe Ituri) janë përballur me pasiguri endemike, e cila i lë fëmijët të ekspozuar ndaj rekrutimit nga aktorë jashtë shtetëror.
Sipas OKB-së, grupet e armatosura jashtë shtetërore përbëjnë sistematikisht shumicën dërrmuese të palëve të listuara për shkelje të rënda ndaj fëmijëve.