Në një vendim historik, Gjykata e Arbitrazhit e OKB-së në Hagë hodhi poshtë pretendimet territoriale të Kinës në Detin e Kinës Jugore, duke thënë se ato janë të pabaza.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit për këtë rajon të gjerë detar i dha përgjigje një ankese të vitit 2013 nga Filipinet, që akuzonte Pekinin për shkelje të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Deteve, me veprimet e tij agresive në zonën e shkëmbinjve nënujorë “Scarborough Shoal”, rreth 225 kilometra larg brigjeve të Filipineve, shkruan VOA.

Gjykata tha se pretendimet e Pekinit për të patur sovranitet mbi gati të gjithë Detin e Kinës Jugore bien ndesh me Konventën e Kombeve të Bashkura për ligjet detare, e cila përcakton kufijtë detarë të një vendi 22 kilometra nga brigjet e tij dhe kontroll mbi aktivitetet ekonomike deri në 370 kilometra nga brigjet e tij.

Gjykata tha se Kina kishte shkelur të drejtat sovrane të Filipineve, duke ndërhyrë në aktivitetet e peshkimit dhe nxjerrjes së naftës nga Filipinet në atë zonë.

Ministria e Jashtme e Pekinit ka bërë të ditur në të kaluarën se nuk do ta njihte vendimin e gjykatës së arbitrazhit. Kina ka thënë se nuk e njeh procesin gjyqësor, duke theksuar se gjykata nuk ka juridiskion mbi mosmarrëveshjen, megjithëse Pekini e ka nënshkruar konvetën e OKB-së për ligjet detare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: