Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka bërë të ditur se Izraeli vazhdon të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në pjesën veriore të Rripit të Gazës në mes të ofensivës masive në këtë zonë, transmeton Anadolu.

“Autoritetet izraelite vazhdojnë të mohojnë misionet humanitare për të arritur në veri me furnizime kritike, duke përfshirë ilaçe dhe ushqime për njerëzit nën rrethim. Spitalet janë goditur dhe kanë mbetur pa energji derisa të lënduar kanë mbetur pa kujdes”, tha Lazzarini.

Ai gjithashtu tha se strehimoret e drejtuara nga UNRWA-ja në Gazën veriore janë shumë të mbipopulluara.

“Disa njerëz të zhvendosur tani janë detyruar të jetojnë në tualete”, theksoi Lazzarini, duke shtuar se populli i Gazës që përpiqet të ik “po vritet dhe trupat e tyre po lihen në rrugë”.

Siç theksoi ai, misionet që punojnë për të shpëtuar njerëzit e mbetur nën rrënoja gjithashtu po mohohen.

Shefi i UNRWA-së bëri thirrje për të lejuar ndihmën humanitare për të gjithë njerëzit në Gaza.

“Agjencitë humanitare, përfshirë UNRWA-ja, duhet të kenë qasje në veri të Gazës. Mohimi i ndihmës humanitare për të arritur qëllimet ushtarake është një shenjë se sa e ulët është busulla morale. Askush nuk duhet të lutet për të ndihmuar apo për t’u ndihmuar. Armëpushimi është fillimi për t’i dhënë fund këtij makthi të pafund”, tha Lazzarini.

Javën e kaluar, Monitoruesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut tha se ndalimi i Izraelit për hyrjen e ndihmave ka lënë 200 mijë njerëz pa ushqim dhe ujë të pijshëm në Gazën veriore.

Mes një rrethimi në zonën e Gazës veriore, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën masive, tashmë në ditën e saj të 17-të. Ky sulm është episodi i fundit në sulmet brutale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, që kanë vrarë të paktën 42.600 palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur mbi 99.800 të tjerë.

Lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Për veprimet në Rripin e Gazës, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: