Më shumë se 5 milionë njerëz në Siri mund të mbeten të pastrehë pas tërmetit që goditi vendin dhe Turqinë të hënën, tha Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

“UNHCR-ja është duke u fokusuar të sigurojë që qendrat kolektive të pajisen me batanije termale, dyshekë gjumi, veshje dimërore e kështu me radhë”, tha Sivanka Dhanapala një përfaqësues i UNHCR-së në Siri.

“Për Sirinë, kjo është një krizë brenda një krize,” shtoi Dhanapala. “Kemi pasur tronditje ekonomike, COVID, dhe tani jemi në thellësi të dimrit, me stuhi të tërbuara në zonat e prekura”.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se 6.8 milionë njerëz ishin tashmë të zhvendosur brenda vendit që nga fillimi i luftës civile që përfshiu Sirinë në vitin 2011.

“E gjithë kjo, natyrisht, ndikon në aksesin për ndihmë,” tha Dhanapala. “Rrugët janë dëmtuar dhe kjo na pengon të përpiqemi të arrijmë te njerëzit. Ka qenë shumë, shumë e vështirë.”

Bazuar në “një vlerësim paraprak”, organizata e refugjatëve tha se “5.37 milionë njerëz të prekur nga tërmeti do të kenë nevojë për ndihmë strehimore në të gjithë Sirinë”.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb