Gati 40 milionë njerëz janë të infektuar me virusin HIV, i cili e shkakton SIDA-n, sipas një raporti të OKB-së që përfshin të dhëna për vitin 2023.
Sipas raportit mbi 9 milionë prej tyre nuk kanë qenë duke u trajtuar, çka thuhet se ka rezultuar në vdekje të lidhura me SIDA-n, raporton AP.
Ndërsa janë bërë përparime për t’i dhënë fund pandemisë së SIDA-s në botë, në raport thuhet se progresi është ngadalësuar, fondet janë duke u zvogëluar dhe janë duke u rritur infektimet në tri rajone: Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe Amerikën Latine.
Në vitin 2023, rreth 630 mijë njerëz kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n, rënie nga 2.1 milionë vdekje në vitin 2004. Por shifra e fundit është më shumë se dyfishi i objektivit prej më pak se 250 mijë vdekje për vitin 2025, sipas raportit të UNAIDS, agjenci e OKB-së që i udhëheq përpjekjet globale për t’i dhënë fund pandemisë.