Ekspertja e të drejtave të njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, i bëri thirrje Arabisë Saudite të zhvillojë një proces gjyqësor publik mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

“Bëjini publike të gjitha procedurat e gjykimit dhe të gjitha provat kundër të akuzuarve”, tha në një deklaratë Callamard, Raportuesja Speciae e OKB-së për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare.

Callamard tha se “gjykimi me dyer të mbyllura” i Arabisë Saudite ndaj të akuzuarve për vrasjen e Khashoggit “ka dështuar në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare”.

Ajo gjithashtu dënoi mungesën e transparencës në hetimin e Arabisë Saudite, si dhe procedurat ligjore në vrasjen e Khasshoggit.

Khashoggi, kontribues i gazetës The Washington Post, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte kryer jashtë zinxhirit të komandës.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje dhe llogaridhënie më të plotë nga Rijadi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb