Epoka e italianëve te Partizani do të marrë fund vetëm ne qershor.

Pavarësisht hamendësimeve të ditëve të fundit, për një largim me biletë vetëm vajtje të dyshes Moxhi-Preiti, e vërteta është se të dy vijojnë të kryejnë funksionet e tyre. Të paktën në letër… kjo sepse hera e fundit që Moxhi ka qenë vendimmarrës në klub daton në dhjetorin e shkuar, pas humbjes poshtëruese në Gjirokastër, ku konfirmoi të dorëhequrin Starova, diçka që binte ndesh me mendimin e drejtorit Olsi Rana, që pavarësisht dukjes, kurrë s’ka qenë dakord me riciklimin e “Bobit” në krye të stolit.

Më pas merkatoja e janarit, ku qoftë Moxhi qoftë Preiti nuk kryen asnjë lëvizje, konfirmoi divergjencat mes drejtuesve më të lartë te Partizani. Olsi Rama kërkon dhe ka gjetur pushtet absolut në klub, ndërsa sheh te dy italianët një barrë të rëndë financiare, që i ka kushtuar presidentit Demi rreth 400 mijë euro vetëm nga paga e dy drejtuesve te lartpërmendur pa llogaritur dëmet në total me merkaton e dështuar në verë dhe prishjet e kontratave të ish-trajnerit Juliano dhe zëvendësit të tij Dosena.

Moxhi nuk shkel në stadium prej disa ndeshjesh. Ai vjen dhe ikën nga Tirana, por zëri i tij tashmë është i pafuqishëm në veshët e presidentit Demi. Mëkëmbësi i tij, Antonelo Preiti, gjithashtu nuk ka fuqi në klub. Kjo e bën të kotë prezencën e tyre, por të dy kanë firmosur një kontratë të majme dhe nuk kanë ndërmend të largohen deri në fund të kampionatit, kur dhe përfundojnë afatet ligjore të marrëveshjes me Partizanin.

Shkarkimi i Statovës ka qenë një vendim ekskluziv i Olsi Ramës, që e shikonte strategun e fundit që e ka shpallur Partizanin kampion, si një gur të tepërt në ristrukturimin e klubit të kuq. Për shkarkimin e “Bobit” nuk është pyetur aspak Lucciano Moxhi, ç’ka ka vulosur de fakto divorcin mes italianëve dhe Partizanit, ndërsa për ta bërë këtë çështje de juro, duhet pritur qershori.

Nga Jeton Selimi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb