Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në një intervistë për mediat ka pohuar atë që “BalkanWeb” e raportoi pak orë më parë për situatën e futbollistit Realdo Fili i cili po mendonte largimin nga të kuqtë për shkak të minutave të pakta në dispozicion.

Rama ka prekur edhe çështje të tjera të cilat rrethojnë së fundmi klubin kryeqytetas.

Partizani e nisi me humbje

Kemi pësuar një humbje në Vlorë si rezultat i një 11 metërshi të akorduar në minutën e fundit të kohës shtesë. Mendoj se në përballjen e luajtur ndaj Flamurtarit ekipi ka zbatuar mjaft mirë detyrat taktike të dhëna nga trajneri . Në këtë fazë ku jemi për ne është mjaft e rëndësishme që skuadra të bëjë paraqitje të tilla, për më tepër që ndaj Flamurtarit nuk kishim në dispozicion disa prej lojtarëve të afruar gjatë merkatos së janarit.

A mund të konsiderohet e përfunduar merkato e Partizanit?

Po mund ta konsideroj të përfunduar, jemi mjaft të kënaqur me elementët që kemi afruar në ekip . Kemi rritur cilësitë teknike e fizike të skuadrës dhe mendoj se kemi goditur aty ku ishte e nevojshme përforcimi i skuadrës.

Komenti juaj në lidhje më çështjen Fili?

Është pozitive kur në ekip ka konkurencë , Fili është lojtar i Partizanit. Ne prej disa kohësh kemi diskutuar edhe me menaxherin e tij mbi mundësitë që lojtari të ketë për të luajtur, pasi ka nevojë që të aktivizohet , duhet të fitoj besimin në aftësitë e tij. Ne e kemi konsideruar pjesë të Partizanit dhe prandaj kemi sugjeruar edhe një formë huazimi , që të kishim mundësi të shikonim edhe potenticialin e lojtarit. Fili nuk është i larguar kemi akoma për të biseduar. Çështja është që tek Partizani duhet të qëndrojnë vetëm lojtarët që kanë dëshirë të japin për skuadrën maksimumin e tyre. Besoj që fanela e Partizanit është e nderuar dhe e respektuar dhe e meriton që ti kthehet në këtë mënyrë respekti. Ne kemi afruar lojtarë përgjatë merkatos , normal që një lojtar si Fili ndihet disi në trysni , por është zgjedhja teknike e trajnerit se cilët lojtar do të aktivizoj në fushë.

Wshtë përfolur se ndoshta Starova mund të mos jetë deri në fund të sezonit në drejtimin e skuadrës?

Këto lajme i lexova edhe unë në gazeta, nuk ka asgjë të vërtetë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb