Të tjera detaje dalin në drita nga ngjarja e rëndë që u mbajt e fshehtë, ku bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj plagosi vartësin e kësaj të fundit me gozhdë.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb raportin e plotë të prokurorisë ku thuhen dhe detaje nga dosja hetimore.
Duket se shkak i sherrit ishte bërë shoku i burrit të ministres, me emrin Olsi, për të cilin ai kishte dhënë dhe porosi Eri Koshajt, që ta mbante mirë, por që e kishin hequr nga puna në Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Po ashtu mësohet se Eri Koshaj ka regjistruar bisedën me nënën e Andri Ihrahimajt, të cilat janë dokumentuar dhe në raportin e prokurorisë.
BISEDAT E REGJISTRUARA
Sipas shtetasit Andri Brahimaj, ky i fundit e ka goditur shtetasin Eri Koshaj, për shkak se ai e ka ofenduar rëndë nga bashkëshortja. Ky motiv i konfliktit fizik konfirmohet edhe nga bisedat e regjistruara në Whats up të zhvilluara ndërmjet shtetases T. R., (nëna e Andri Ibrahimaj) dhe shtetasit Eri Koshaj. Motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit Eri Koshaj, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi O. M., shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera. I pyetur në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi O. M., ka mohuar që të jetë ankuar tek shtetasi Andri Ibrahimaj për largimin e tij nga detyra, apo të ketë shtyrë atë që të konfliktohej me shtetasin Eri Koshaj. Gjithashtu nga bisedat e regjistruara dhe depozituara nga ana e kallëzuesit Eri Koshaj, nuk rezulton që shkaku i konfliktit fizik të ketë qenë detyra e kryer nga ana shtetasit Eri Koshaj.
“Kallëzuesi Eri Koshaj ka depozituar një USB ku ka regjistruar disa biseda të kryera me shtetasen T. R., biseda të kryera në aplikacionin WhatsUp dhe disa biseda ambientale të zhvilluara ndërmjet tyre në një ambient kafeneje. Bisedat e kryera në apikacionin Whatsup janë printuar dhe nga leximi i përmbajtjes së tyre, rezulton se shtetase T. R., bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri-tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë. Biseda ambientale e regjistruar nga vetë shtetasi Eri Koshaj e kryer me shtetasen T. R., nëna e Andri Ibrahimaj, duket se është kryer në një ambient publik kafene. Nga bisedat dy personat flasin për një person të tretë Olsi ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që: “Olsin do ma mbash mirë”. Në lidhje me këto biseda nuk vërtetohet data se kur është kryer regjistrimi i tyre.”, citohet në raportin e Prokurorisë.
(BalkanWeb)