Liverpool frenoi pikërisht atëherë kur më pak pritej, përballë Man.United, një skuadër që vinte në këtë takim pas 3 humbjeve radhazi vetëm në Premier League. Arne Slot, trajneri i të kuqve, e mohon në mënyrë kategorike të ketë nënvlerësuar “djajtë e kuq”:
“Jo, nuk besoj se kjo ka të bëjë, por United erdhi këtu dhe luajti në bllok pas. Ata janë një skuadër që kanë cilësi kur kanë topin në këmbë, por dhe pa top, ishte e vështirë të luaje kundër tyre. Kur ata vendosën të luanin futboll u bë një ndeshje e bukur, por për 75 minuta Onana vetëm largoi topin, thjeshtë luajtën pas. Një pikë e fituar? Njerëzit harrojnë se sa shumë raste krijuam, por dhe mund ta humbisnim ndeshjen me atë rast të Maguire në fund”, u shpreh për BBC Arne Slot.
Ashtu si në derbin ndaj City, Man.United tregoi edhe një herë se janë një skuadër me potencial, një skuadër që di të luajë futboll, por “djajve të kuq” i mungon vazhdimësia. Trajneri Ruben Amorim e ka të qartë se çfarë i duhet ekipit të tij:
“Kur jemi të përqendruar, kur luftojmë për çdo top, kur vuajmë deri në fund, jemi një skuadër e mirë. Nëse nuk e bëjmë gjithnjë këtë do të humbasim ndeshje, kjo është e qartë”, u shpreh trajneri i Man.United.
(BalkanWeb)