NGA FATMIRA NIKOLLI*

Si e shkronjëzojmë fjalën K-U-J-D-E-S kur përballemi me qelqin? Qelqi është një material për t’u marrë shembull kur flitet për të krijuar shikueshmëri, apo për të diskutuar koncepte si transparenca, thyerja, rezistenca dhe brishtësia. Lente, dritare, pasqyra, xhama zmadhues, telefona celularë, tableta, ekrane kompjuterike, kamera survejimi, ekspozitorë, shishe, akuariume janë pjesë e jetës tonë të përditshme dhe profesionale, duke infektuar sferën tonë publike, shoqërore dhe private. Këtu pyetja shtrohet se si, dhe çfarë, shohim kur shikojmë realitetin përmes qelqit? Si ndikon ai në mendjen tonë dhe mbi të menduarin tonë krijues?”

SiO2 – Arsyeja e brishtësisë, artistët bashkëkohorë përballen me qelqin. Kjo është tema e sivjetshme e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “ONUFRI XXI”.

Galeria Kombëtare e Arteve ka bërë dje thirrje të hapur për projekte artistike me temë QELQIN, që do të mirëpriten deri në datën 1 tetor 2015. Propozimet mund të jenë në kategoritë: Film, Instalacion, Performancë, Tingull, Tekst (shkrime kreative), Video, Materiale pamore (që përfshijnë vizatimet, renderimet dixhitale, fotografinë) dhe mund të marrin pjesë: arkitektë, autorë filmash (filmmakers), artistë ndërdisiplinorë, artistë performues, fotografë, artistë tingulli, artistë pamorë dhe shkrimtarë nga skena kulturore dhe artistike shqiptare, të cilët gjithashtu punojnë në teknika dhe disiplina të ndryshme (duke përfshirë dhe shkencat). Bashkë me aplikimin (për ata nën 40 vjeç) duhet të dorëzohet një propozim i shkurtër/draft-projekt (deri në 400 fjalë) që tregon edhe kohën e realizimit të veprës; një përshkrim të shkurtër për qëndrimin artistik të autorit/kolektivit; një biografi të shkurtër dhe CV të autorit/kolektivit; një përzgjedhje imazhesh përmes të cilave na shpjegoni vizualisht propozimin dhe projektin tuaj pjesëmarrës. Nga gjithë aplikimet e kësaj faze do të përzgjidhen 7 projekte për në ekspozitën Onufri XXI.

Kuratorë të ONUFRI-t të sivjetshëm janë VestAndPage (Verena Stenke – Andrea Pagnes) të përzgjedhur nga një juri e veçantë pas një konkursi ndërkombëtar. Onufri (ekspozitë e konkurs ndërkombëtar) vjen pas një viti ndërprerje, ndërprerje e cila u justifikua me nevojën për reflektim nga Ministria e Kulturës. Përtej kësaj, fondi i vënë në dispozicion është ende modest, por së paku tradita vazhdon, anipse një vit pushim nuk shërbeu për asgjë tjetër, pos debateve që sërish, nuk sollën ide, as vizion, veçse krijuan një klimë të acartë në marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe në marrëdhëniet e artistëve me institucionet.
Sot, kur GKA hap dyert për propozime, që kanë në qendër qelqin, jo vetëm si material, por edhe si mënyrë shikimi, e më konkretisht si një portë prej ku bota merr tjetër pamje, a ku nga portë bëhet prag ose kufi, të gjitha u lanë pas.

Këtë herë qelqi duhet parë si një mundësi hulumtimi, për të kuptuar më shumë maskën ose çlirimin prej saj, dhe ‘qelqin’ si fshehje, ndarje, zvogëlues distancash e kufijsh, e jo vetëm. Ai është një pikënisje, prej ku fillon pamja, por edhe një pikë fundore, ku një realitet mbyllet e një tjetër nis, një realitet i përtejshëm, i ofruar përmes xhamit, dhe joreal pikërisht prej kësaj ndërhyrje, qelqi do të jetë edhe një medium a një përcjellës.
Bashkë me njoftimin, GKA ka shpërndarë dje edhe tekstin kuratorial të VestAndPage.

Teksti kuratorial
Si përballeni ju me qelqin?! Kjo mund të jetë nënpyetja e këtij ONUFRI, veçse kjo përballje nuk duhet lexuar doemos si luftë, por jo domosdoshmërisht as si bashkëbisedim: artistë të ndryshëm, do përballen me të dhe do ofrojnë perceptimin e tyre, për qelqin përtej materialit, për mendimin përtej materies.
Një palë syze mund të bëjë të padukshmen të dukshme; një dritare qelqi antiplumb mbron duke qenë një barrierë e tejdukshme, pra, si çdo material, edhe qelqi balistik nuk është krejtësisht i pakalueshëm.
“Që në shek.19, Lewis Carroll e përshkroi botën imagjinare të Lizës të formësuar përmes një xhami zmadhues, duke shkrirë realitetin me ëndrrën. Disa vjet më vonë gjesti provokues i Marcel Duchamp-it që mbyllte 50 ç ajër Parisi në një ampulë farmaceutike ofroi mundësinë për të përkthyer potencialet e pafundme të qelqit në një dialektikë të paprecedent, e cila në mënyrë të paevitueshme ka të bëjë me hapësirën, me kohën dhe me ekzistencën tonë të përditshme. Për të, qelqi mund të paramendohet si një element i gjuhës bashkëkohore të artit, një mjet i ri shprehës me të cilin krijohen imazhe, megjithëse, duke parafrazuar Pindarin, ashtu si dija dhe jeta, struktura molekulare e qelqit dhe pikat e tij të dobëta janë më shumë rrugë rastësore se sa një ngrehinë e qëndrueshme”, shkruajnë kuratorët VestAndPage.

Ata shtojnë se duke e marrë qelqin si medium, simbol dhe bartës të kuptimeve drejtuar kujtesës individuale dhe sociale, ekspozita “SiO2 – Arsyeja e brishtësisë fokusohet tek gjendja e vigjilencës, vëmendjes dhe përgjegjësisë, për të parë konfigurimin e gjërave të botës sonë me sy më të përqendruar”. Sipas konceptit kuratorial, me këtë, ekspozita shpalos domosdoshmërinë e vëmendjes dhe kujdesit në marrëdhëniet njerëzore si në sferën private e shoqërore, ashtu dhe përkundrejt ambientit përreth, që në fund të fundit sjell një kuptueshmëri më të thellë të impaktit të pakthyeshëm që sjell një vendim i marrë. “Nisur nga të dyja: si nga perspektiva artistiko-edukative ashtu edhe ajo tekniko-artistike, ekspozita krijon një mundësi për studentët, artistët dhe operatorët kulturorë të reflektojnë, hetojnë dhe diskutojnë mbi atë se çfarë do të thotë t’i qasesh një materiali të veçantë jo vetëm për atë që është, ose atë që përfaqëson, por së pari si burimi kryesor i konceptit, mendimit dhe imagjinatës për të shfaqur shqetësimet etike dhe estetike antro-poetikisht, mendime që i japin jetë dhe forcojnë zhvillimin e kulturës”, shkruajnë VestAndPage. Për kuratorët, nëse qelqi lejon një takim ndërdisiplinor mbi një bazë të përbashkët dhe paraqet si karakteristikë kryesore të tij zgjerimin e vizionit të njeriut, atëherë ai mund të shërbejë si model dhe prag njohjeje.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: