Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga EUROPOL dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë ka çuar në pranga edhe një shqiptar nga Shkodra.

Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit “Goldfinger” janë arrestuar 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim, ndërsa në Shkodër është kapur kreu i grupit, një 51 vjeçar, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal).

“Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj. Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019. Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal”,- sqaron policia.

Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim u arrestuan mbi 42 persona si dhe u sekuestruan 40 kg kokainë.Po ashtu u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb