Policia ka kryer bastisje në disa qytete në Gjermani dhe Francë në një operacion të koordinuar ndërkombëtarisht për të goditur një rrjet që dyshohet për kontrabandimin e emigrantëve drejt Britanisë së Madhe me varka të vogla.

Të koordinuar me Europolin, shërbimet franceze të sigurisë dhe policia britanike pas muajsh kanë mbledhur të dhëna, ndërsa operacioni u zhvillua të mërkurën në qytetet e Gjermanisë perëndimore, ku besohet se bandat kanë blerë varka të vogla dhe kanë gjetur emigrantë që dëshironin të iknin drejt Britanisë nga Franca përmes Kanalit.

Një rrjet i kurdëve të Irakut, disa prej të cilëve besohet se jetojnë në strehimore azilkërkuesish në shtetin perëndimor të Rhein-Westfalisë (NRW) akuzohet për “kontrabandë migrantësh të parregullt nga Lindja e Mesme dhe Afrika Lindore në Francë dhe MB, duke përdorur varka të vogla”, tha policia federale e Gjermanisë në një deklaratë.

Më shumë se 500 oficerë morën pjesë në operacion, i cili lidhej me 10 urdhër-arreste ndërkombëtare, në lokacione që varionin nga strehimoret e azilkërkuesve deri te shtëpitë dhe magazinat private në qytetet Essen, Bochum, Gelsenkirchen në NRW dhe shtetin jugor të Baden-Württemberg, si dhe të tjera qytete në Francë. Urdhrat e arrestit ishin lëshuar nga një gjykatë në qytetin francez të Lille, tha policia gjermane.

Një fokus i veçantë ishte një strehë e azilkërkuesve në Essen, e cila u rrethua nga policia mëngjesin e së mërkurës, sipas tabloidit Bild.

Forcat speciale gjermane si dhe njësitë anti-terroriste GSG 9 udhëhoqën operacionin, të ndihmuar nga më shumë se 20 hetues francezë dhe britanikë, si dhe zyrtarë të agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol. Policia britanike dhe franceze thuhet se ishin në terren gjatë operacionit në Gjermani.

Në shkurt, 19 persona u arrestuan pas bastisjeve që kishin në shënjestër një rrjet tjetër irakiano-kurd pas një hetimi nga autoritetet belge, franceze dhe gjermane. Sipas hetuesve, bandat e reja të kontrabandës po shfaqen vazhdimisht.

Një hetues tha për mediat gjermane se kontrabanda me njerëz ishte shpesh më fitimprurëse sesa tregtia e drogës.

“Ndonjëherë është e mundur të fitosh më shumë para me kontrabandën e njerëzve sesa me tregtinë ndërkombëtare të drogës. Sirianët paguajnë deri në 10,000 euro për person për t’u kontrabanduar. Një gomone e mbushur shpejt mund të arrijë në disa qindra mijëra euro. Jetët e emigrantëve nuk kanë asnjë rëndësi për kriminelët”, tha ai.

Të dyshuarit në bastisjen e shkurtit ishin të gjithë me bazë në Gjermani. Banda përdorte gomone me ajër për kontrabandimin e emigrantëve drejt Britanisë nga plazhet pranë qytetit port francez të Calais.

Kontrabanda e emigrantëve me varka të vogla nëpërmjet Francës në Britani është rritur që nga viti 2019. Vitin e kaluar, rreth 30,000 migrantë në 600 varka arritën në Mbretërinë e Bashkuar, sipas Europol.

Kjo shënoi një rritje prej më shumë se 60% krahasuar me vitin 2022, dhe niveli më i lartë i kontrabandës që nga kulmi i krizës së refugjatëve të vitit 2016. Policia federale gjermane tha se kishte nisur hetimet për 4400 të dyshuar për kontrabandë me qenie njerëzore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb