Një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “FAST” është finalizuar me sukses në kryeqytet, ku është vënë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në bashkëpunim me DVP Tiranë, lokalizuan në zonën e Saukut dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin Ornado Çeta (alias Ceta), 40 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Apelit e Triestes në Itali e ka dënuar 40-vjeçarin me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë “Vjedhje të rënda”, “Mashtrim”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Plagosje”, “Kanosje” dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë”. Prej këtij dënimi, atij i kanë mbetur për të vuajtur më shumë se 20 vite burg.

Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të kryer procedurat e ekstradimit të të arrestuarit drejt shtetit fqinj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb