Një operacion policor me bashkëpunimin e DEA-s amerikane është zhvilluar në Romë, ndërsa janë arrestuar 10 persona, që i përkisnin një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e narkotikëve, veçanërisht kokainës.

Operacioni u finalizua me sekuestrimin e mbi 72 kg kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin e Civitavecchia dhe të një plantacioni marijuanë të gjetur brenda një vile në brendësi të Romës.

Më tej, u dokumentua blerja nga Spanja e mbi 50 kilogramëve hashash të llojit “polen”, si dhe disa episode të shitjes “me shumicë” të lëndëve narkotike, për mbi 30 kilogramë marijuanë.

Banda, me shqiptarë dhe italianë, drejtonte dhe kryente shpërndarjen e narkotikëve në Romë, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, përfshi edhe kallashnikovë.

Operacioni, i përqendruar në Tor Bella Monaca, filloi në agimin e 4 shtatorit. Urdhër-arrestet u firmosën nga Drejtoria e Anti-Mafia në Qarkun e Romës, pas një hetimi mes policisë lokale, me mbështetjen e Shërbimit Qendror të Hetimit të Krimit të Organizuar (SCICO) dhe në bashkëpunim me DEA.

Për tetë persona autoriteti gjyqësor parashikoi burg, për një në arrest shtëpie dhe për të fundit detyrim paraqitje në policinë gjyqësore.

Krimet e akuzuara përfshijnë trafikun dhe prodhimin e drogës, prodhim të paligjshëm, mbajtje armësh, posedim dokumentesh false identifikimi, vjedhje të energjisë elektrike.

Banda mund të mbështetej në një numër të konsiderueshëm “punonjësish” – vëzhgues dhe shtytës – të cilët ishin përgjegjës për menaxhimin e zonave të tregtisë së drogës, duke aplikuar metodat e kërcënimeve dhe dhunës ndaj atyre që konsideroheshin si rivalë.

Policia sekuestroi armë të kalibrit të madh si pushkë gjahu dhe pushkë lufte si kallashnikovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: