Operacioni i kërkim – shpëtimit për turistin lituanez do të vazhdojë edhe nesër. Kështu bëri të ditur për Klankosova.tv kryetari i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës Deni Hameli.

“Jo, nuk e kemi gjetur sot. Kërkimet tona janë përqendruar kryesisht rreth vendit të njohur si “Maja e Rosit” në Valbonë ku sipas informacioneve që na i kanë dhënë familjarët dyshohet se ka shkuar atje. Sot e kemi ‘krehur’ po thuajse krejt atë zone, disa shtigje të vjetra ku dyshohet se mund ta ketë humbur rrugën ky, e po ashtu edhe disa vende të rrezikshme, humnera, por s’ka pasur asnjë gjurmë”, tha Hameli, raporton Klan Kosova.

“Kanë qenë ekipe nga Shqipëria dhe Kosova që kanë marrë pjesë në kërkim. Kërkimi është zhvilluar edhe nga ajri, me ndihmën e Forcave të Armatosura shqiptare. Operacioni do të vazhdojë edhe nesër”, theksoi ai.

“Aktualisht jemi në kufij, ku jemi kthyer për t’u organizuar. Nesër pritet të rritet edhe numri i anëtarëve të kërkim-shpëtimit. Të them të drejtën për nesër kemi pak shpresa se mund të bëjmë diçka, sepse edhe moti pritet të jetë i keq, por ne do ta bëjmë të pamundurën”, theksoi kreu i Shoqatës së Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës, Deni Hameli.

Sipas informacioneve thuhet se turisti kishte dalë nga bujtina dhe është drejtuar për në bjeshkë. Ai ka dalë në datën 5 shtator dhe nuk është kthyer më.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb