Në emisionin “Open” në News24 është folur për operacionin më të fundit të SPAK ku janë lëshuar 21 urdhër-arreste, ku përfshihen edhe disa ish-funksionarë të sistemit të drejtësisë.
Eugen Beçi, ish-Prokuror i Krimeve të Rënda, në emisionin “Open” në News24, u shpreh se është një operacion në vazhdën që transkriptimet e SKY EÇ i kanë dhuruar SPAK.
Sipas ish-prokurorit, risia është që për herë të parë kemi një organizatë kriminale, pasi deri më sot kishim “grupe të strukturuara kriminale”
“Është përftuar e dhëna nga transkriptimet dhe pastaj është bërë kryqëzimi i të dhënave me ngjarje të 2019-ës. Organizata kriminale është forma më e lartë. Bashkëpunimi i SPAK me Europool dhe Eurojust, më në fund cilësoi një grup si organizatë kriminale. Është tipike e organizatave kriminale që të përfshijnë zyrtarët e shtetit, avokatët dhe çdo përfaqësues të jetës sociale”, tha Beçi.
Ai tha se transkriptet janë mjet që të çojnë të kërkosh provën.
“Duhet parë që gjyqtari ka bërë vetëm korrupsion apo është pjesë e organizatës kriminale. Gazetari ka bërë korrupsion në sektorin privat apo është pjesë e organizatës kriminale?
Duhet të kemi provat që të ndajmë rolet e kujdo. Organizata ka ndihmësit, ka anëtarët, ka drejtuesit. Të thuash që dikush është anëtar i organizatës duhet ti japësh rolin në organizatë. Është disi e vështirë që të përcaktosh detyrat dhe funksionit në sektorin privat. Kemi të bëjmë me një situatë delikate në raportin me dy gazetarët”, tha Beçi.