Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “nuk është problem i SHBA-së nëse Turqia hyn në Siri”. Komentet vijnë në kohën kur SHBA-ja po përballet me kritika të mëdha, pas tërheqjes së trupave nga Siria. Tërheqja, javën e kaluar, i ka dhënë dritën jeshile Turqisë për të nisur një ofensivë kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë.

Turqia i konsideron kurdët atje si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë. Milicitë kurde, megjithatë, e mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me PPK-në, shkruan Rel.

Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se SHBA-ja “nuk është agjent policor”. “Është koha për ne që të shkojmë në shtëpi”, tha Trump. Milicitë kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri. Por, Trump tha se “kurdët nuk janë engjëj”. “Ata kanë luftuar me ne. U kemi dhënë para për të luftuar me ne… Ata kanë qenë në rregull kur kanë luftuar me ne. Ata nuk kanë qenë edhe aq në rregull kur nuk kanë luftuar me ne”, tha Trump.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja po përpiqet ta bindë Turqinë që “të bëjë gjënë e duhur”, sepse, siç tha, SHBA-ja do të donte ndërprerjen e luftërave. Një delegacion i zyrtarëve të lartë amerikanë pritet të takojë të enjten presidentin turk, Recep Tayyip Edogan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb