Të tjera detaje zbulohen për operacionin në Fier në kuadër të operacionit kombëtar “Forca e ligjit”, ku u arrestuan 3 persona të akuzuar për trafik droge, vrasje e rrëmbime. Policia ka sekuestruar në sendet e Kujtim Kuçit, Bashkim Ahmetos dhe Dritan Tushës edhe një detektor valësh që shërben për bllokimin e përgjimeve.

Bëhet fjalë për një pajisje që zbulon nëse në një rreze të caktuar ka apo jo valë dhe që përdoret për të krijuar perimetër sigurie ku mund të mbrohen nga përgjimi apo influenca e çfarëdolloj vale, në këtë rast nga policia.

Burime për “BalkanWeb” nga Policia bënë me dije se pikërisht kjo pajisje i ka vështirësuar punën grupit hetimor dhe efektivëve që ishin në ndjekje të tre personave të mësipërm, pasi nuk mund të kishin përgjime ambientale. Një detektor valësh kushton rreth 3-4 mije euro, shkruan “BalkanWeb”.

Policia deklaroi se hetimet për këtë çështje vazhdojnë dhe janë evidentuar disa prona që dyshohet si të ndërtuara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb