KOSOVE

Për arrestimet e mëngjesit të sotëm në veri të Mitrovicës në lidhje me vrasjen e liderit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, ka reaguar KFOR-i në Kosovë, duke theksuar se nuk kishte asnjë “veprim të paligjshëm” në operacionin e policisë kosovare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një njoftimi, KFOR-i thekson se situata në veri të Mitrovicës është e qëndrueshme dhe nën kontroll, por bën të ditur se KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të ruajë prezencën e saj në terren, me shpresë që mos të ketë nevojë për ndërhyrje.

“Nuk kishte asnjë veprim të paligjshëm ose veprim ushtarak dhe nuk ka pasur ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve. KFOR-i konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe asnjë forcë e sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk u dërgua në veri të Kosovës”, thotë KFOR-i.

Duke theksuar se “KFOR-i është i vetëdijshëm se ka tensione në rritje në nivel politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike”, ky mision u bën thirrje të gjitha palëve të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës apo dhunës.

Mëngjesin e sotëm, njësia policore kosovare ka zhvilluar një operacion në veri të Mitrovicës, në lidhje me vrasjen e liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviç, me ç’rast ka arrestuar katër persona, dy prej të cilëve zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës.

Ivanoviç humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri më 16 janar të këtij viti, para selisë së SDP-së në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe, ndërsa kohë më pas ishin arrestuar dy policë për manipulimin e provave nga terreni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb