TIRANË-Kreu i OSHEE Adrian Çela dhe drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi në një dalje sëbashku për shtyp sot në mesditë garantuan se do të vijojnë operacionin për arrestimin e abuzuesve me energjinë elektrike deri në ndalimin përfundimisht të këtij fenomeni vjedhjeje në vend.
Sipas Çelës, operacioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe vjedhjes së energjisë elektrike ka gjetur mbështetje të madhe tek qytetarët e ndershëm që respektojnë.

“Jemi sot para jush për të pasqyruar një bilanc të deritanishëm të bashkëpunimit mes Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Policisë së Shtetit për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike.

Në funksionin e administratorit të OSHEE-së, gjej rastin të falenderoj Policinë e Shtetit për bashkëpunimin përmes të cilit po çojmë përpara këtë proces me vendosmëri. Objektivi ynë është i qartë, të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit. Çdokush paguan për energjinë e konsumuar. Askush nuk mund të marrë energjinë pa e paguar.

Ky operacion ka gjetur mbështetjen e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe korrekt me ligjin. Janë mjaft të rëndësishme shifrat e konsumatorëve që i janë bashkuar rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike”.

Në 2 muaj operacion, Çela evidenton se arkëtimet janë rritur me 47% krahasuar me nentorin e vitit 2013.
“Në muajin Nëntor ulëm humbjet në rrjet me 15.2%. Pra, nga 48% që ishin në nëntorin e 2013-s, i ulëm në 32.8% në Nëntor 2014.
Arkëtimet në nëntor i rritëm me 47.2%, ose me afro 1.3 miliardë lekë krahasuar me nëntorin e kaluar.
Ndersa arketimet e Dhjetorit 2014, u rriten me mbi 2.9 miliard ose rreth 76% me shume se muaji Dhjetor 2013”, tha Çela.

Sipas tij, me nisjen e operacionit janë rritur në numër dhe akt marrëveshjet me familjet. Cela renditi nje sere shifrash nga ky operacion.
“Nga data 28 tetor, kur nisi operacioni i përbashkët me policinë dhe deri me 31 dhjetor 2014 është ndërprerë energjia elektrike në 99 376 raste. Pra është vepruar në rreth 100 mijë raste ku konsumatorët vidhnin përmes lidhjeve të dyfishta ose rezultonin debitorë ndaj OSHEE-së.
Janë nënshkruar 65 912 aktmarrëveshje me konsumatorët debitorë për shlyerjen e detyrimit me këste. Prej tyre, 34 878 konsumatorë familjarë kanë përfituar nga skema lehtësuese uljen me 80% të kamatëvonesave.
Në kuadër të skemës lehtësuese, janë 3613 aktmarrëveshje të nënshkruara vetëm prej familjeve që figurojnë në skemën e ndihmës ekonomike.

Për vitin 2014 kemi në total 25807 kërkesa për lidhje të reja të energjisë. Gjysma e këtyre kërkesave për lidhje të reja janë regjistruar vetëm në dy muajt e fundit që përkojnë me operacionin. Kemi një ulje të energjisë së konsumuar në vitin 2014 prej 26% kundrejt energjisë së konsumuar në vitin 2013. Dua të ndalem në të dhënat financiare të kompanisë, të cilat paraqiten optimiste dhe që dëshmojnë për kthesën pozitive të sektorit.
Në periudhën Janar-Dhjetor 2014 arkëtimet janë rritur me mbi 10.6 miliard lekë ose rreth 100 milion dollar me shume krahasuar me te njejten periudhe te vitit 2013 pra me rreth 27% me shume, duke i çuar arketimet per vitin 2014, në total në 49,8 miliard lekë.
Konfirmoj gjithashtu se kemi tejkaluar objektivin vjetor për uljen e humbjeve. Të dhënat e dhjetorit do të provojnë se niveli i humbjeve vjetore do të reduktohet me rreth 7% krahasuar me një vit më parë”.

Në fund Cela falenderoi konsumatorët për pagesat e energjisë dhe ftoi familjarët të firmosin aktmarrëveshjet, deri në datën 28 Shkurt që ëhstë afati i fundit.
“Në fund, dua të falenderoj  konsumatorët që po i përgjigjen pozitivisht thirrjes së kompanisë për të paguar faturat dhe u garantoj se OSHEE do të japë maksimumin për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. I ftoj ata që nuk kanë firmosur ende aktmarrëveshjet të shfrytëzojnë afatin deri në 28 shkurt kur është e vlefshme skema lehtësuese e ofruar nga kompania.

Gjithashtu, ju kujtoj të gjithë atyre që kanë firmosur aktmarrëveshje për shlyerjen e debisë me këste se duhet të paguajnë faturat korrente. Mospagesa e faturave korrente paralelisht me këstin e debisë së prapambetur e bën të pavlefshme aktmarrëveshjen dhe nuk do të ketë një shans të dytë”.
DIDI

Nga ana e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi u shpreh mbi vazhdimësinë e aksionit  për të ndërprerë në mënyrë të përhershme abuzimin me energjinë elektrike.
“Me këtë frymë do tgë mbështesim OSHEE me arrestimin e cdo abuzuesi të energjisë elektrike”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb