ERSEKË – Një operacion i mbajtur tepër sekret për të shmangur rrjedhjen e informacionit dhe dekonspirimin e veprimeve policore ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Për herë të parë gjatë këtij viti në fushatën antikanabis organizohet një operacion me bashkëpunimin e Prokurorisë, SHCBA (Shërbimi Çështjeve të Brendshme Administrative), Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt (FNSH) dhe Drejtorisë së Policisë Korçë.

Nga të dhënat e siguruara nga gazetari investigativ i “News 24”, Artan Hoxha, dje në orën 01:00 pas mesnatës, 40 trupa të FNSH-së Tiranë të mbështetura me logjistikë për aksione antikanabis janë nisur në drejtim të Kolonjës.

Operacioni për arsye të sekretit hetimor është mbajtur i fshehtë, duke mos e njoftuar policinë lokale të komisariatit të Ersekës, pasi ka dyshime se efektivë të saj bashkëpunojnë me trafikantët. Në orët e para të mëngjesit, trupat e FNSH-së dhe oficerë gjyqësore të Prokurorisë dhe SHCBA pas një udhëtimi në terren të vështirë malor, kanë mbërritur në destinacion.

Zona, objektiv i operacionit ndodhet në një terren të thellë malor, në kufi të tri rretheve Kolonjë-Përmet-Skrapari. Zona është shumë pak e populluar, pasi fshatrat përreth janë thuajse të braktisura nga popullsia lokale. Nga orët e para të mëngjesit e deri pasditen e djeshme, forcat e FNSH-së kanë zbuluar disa parcela të mëdha me kanabis, ku bima ndodhej në fazën e pjekjes dhe e ka kaluar lartësinë prej 2 metrash.

Sasia e bimëve narkotike të asgjësuara nga policia është 18 mijë rrënjë, me një vlerë që i kalon 10 milionë euro. Dyshohet se narkotrafikantët kanë bashkëpunuar me oficerë të policisë lokale kundrejt shumave të mëdha në para. Policët e implikuar në rastin në fjalë dyshohet se u kanë dhënë garanci trafikantëve se nuk do të preken gjatë aksioneve policore në këmbim të pagesave të majme. Po ashtu, policët e implikuar kanë fshehur informacionin për vendndodhjen e parcelave me kanabis dhe kanë raportuar të dhëna të rreme tek eproret e tyre. Ata akuzohen se kanë dekonspiruar çdo lëvizje të policisë te trafikantët.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb