Ambasada e Italisë në Tiranë ka përshëndetur operacionin anti-drogë Shqipëri-Itali dhe ka nënvizuar rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit. Në një deklaratë për mediat Ambasada italiane shpreh kënaqësinë e madhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura në operacionin “lulet e pranverës” të Skuadrës së parë Hetimore të Përbashkët (S.I.C.) e krijuar mes Autoriteteve gjyqësore të Italisë dhe Shqipërisë.

“Hetimet e kryera së bashku për pothuaj dy vjet bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e anëtarëve të katër grupeve të veçanta kriminale italo-shqiptare, baza operative e të cilave ndodhej në Lecce me degëzime në Qarqe të tjera të Italisë dhe që merreshin me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe mbajtje dhe futje në territorin kombëtar të armëve dhe municioneve luftarake.
Operacioni, i bashkërenduar nga Drejtoria Kombëtare e Antimafias dhe nga Drejtoria Antimafia e Rrethit në Lecce çoi në arrestimin e 11 personave në Itali dhe të 6 personave në Shqipëri”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Ndërkohë Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, deklaron se arrestimet janë një rezultat i rëndësishëm i arritur falë punës së përbashkët.

“Bashkëpunimi gjyqësor dhe ai i policisë mes Italisë dhe Shqipërisë ka çuar në arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme në luftën ndaj krimit të organizuar. Arrestimet e kësaj mbrëmjeje janë një rezultat i rëndësishëm i arritur falë punës së përbashkët të kryer nga Skuadra e parë Hetimore e Përbashkët që i ka mundësuar magjistraturës dhe policisë italiane dhe asaj shqiptare të punojnë sëbashku. Fuqizimi i bashkëpunimit dypalësh dhe atij ndërkombëtar rezulton të jetë mjeti më efikas në arritjen e këtyre rezultateve”, deklaron ambasadori Cutillo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb