NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Katër të arrestuarit e operacionit “Smart”, me 1.5 kg heroinë të pastër janë marrë në pyetje para nisjes së tyre drejt prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, që ka në hetim çështjen. Hetimet kanë nisur për personin e pestë, i cili është blerësi i drogës, i paidentifikuar ende nga policia.

Burimet policore në Durrës kanë bërë me dije se katër të arrestuarit midis tyre dy kundërshtarë të bandës së Aldo Bares, janë arrestuar në tentativë arratisjeje në Kavajë. “Ne i kishim mbajtur nën mbikëqyrje Sajmir Taullain dhe Laert Haxhiun. Ata ndaluan tek këmbët e urës në Plepa të Durrësit. 34-vjeçari Kastriot Zaimi lindur në Berat dhe banues në Shijak ishte në rolin e ndërmjetësit, për shitjen e drogës. Së bashku me lushnjarët ishte edhe 56-vjeçari Afrim Demiri. Teksa bisedonin poshtë mbikalimit ata na pikasën dhe janë nisur me shpejtësi drejt Kavajës. I kemi ndjekur me makinat tona dhe lajmëruar edhe komisariatin e Kavajës të ngrinte postblloqe. Katër personat kanë ndaluar në hyrje të Kavajës. Taullai dhe Haxhiu kanë tentuar të arratisen, dhe kanë ecur për më shumë se 200 metra në këmbë. Ne i kemi ndjekur pas. Në një pikë karburantesh gjendej një mur rreth 4 metra i lartë. 23-vjeçari e ka ngjitur murin dhe është hedhur në anën tjetër por pasi u hodh theu këmbën, ndërsa Taullai u arrestua në flagrancë”, pohojnë burimet policore.

Gjatë marrjes paraprake në pyetje kanë deklaruar se drogën e kishin marrë në Kosovë për ta shitur në tregun e brendshëm. Sipas inspektorëve të Antidrogës nuk është zbuluar ende kush është blerësi, por u është kërkuar kompanive celulare zbardhja e tabulateve telefonikë për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë organizatë.

44-vjeçari Taullai ka qenë i dënuar për vrasje dhe trafik droge. Në 2005 banda e Aldo Bares i ka varë atij vëllain. Ndërsa Laert Haxhiu, 23 vjeç, 8 muaj më parë ka dalë nga burgu për vrasjen e shokut të Aldo Bares me nofkën “Iriqi”. Haxhiu mësohet të ketë deklaruar se ka tentuar të arratiset nga policia pasi ka kujtuar se kanë qenë njerëzit e Aldo Bares, kjo pasi efektivët e policisë kanë qenë të veshur civilë.

“Tentova të arratisesha sepse mendova se mund të ishin njerëzit e Aldo Bares dhe kisha frikë se më vrisnin”, ka thënë 23-vjeçari, i cili është dënuar për vrasjen e shokut të Aldo Bares.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: