Luftimet duket se po vazhdojnë në Ras al-Ayn në Sirinë verilindore të dielën, një ditë pasi Turqia tha se kishte marrë nën kontroll qytetin kufitar. Shtëllunga tymi u panë në qendër të qytetit, ndërsa mund të dëgjoheshin bombardimet dhe të shtënat.

Ministria Turke e Mbrojtjes tha të shtunën se qendra e qytetit Ras al-Ayn ishte marrë nën kontroll “përmes operacioneve të suksesshme në lindje të lumit Eufrat”. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, konfirmoi se trupat turke hynë në qytet, por tha se luftimet ishin ende në vazhdim.

Ushtria turke dhe forcat aleate të opozitës siriane kanë përparuar në fshatrat rreth Ras al-Aynit dhe Tal Abyadit, nën mburojën e artilerisë turke dhe disa sulmeve ajrore.Zyrtarët kurdë sirianë ndërkohë thonë se qindra mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjarë kanë shpëtuar nga një kamp në veri të Sirisë, ndërsa Turqia vazhdon operacionin e saj ushtarak në zonë.

Jelal Ayaf, zyrtar i kampit Ayn Issa, vlerësoi se 850 të huaj të lidhur me ISIS-in shpëtuan dhe kishin ndihmë nga celulat e fjetura që depërtuan në një pjesë të kampit. Pjesëtarët dhe përkrahësit e familjeve të shpëtuara të ISIS-it mendohet se janë nga Britania, Irlanda, Rusia, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia.

Turqia nisi operacionin e saj të planifikuar ushtarak të mërkurën e kaluar që synon të largojë forcat kurde në veri të Sirisë që i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm dhe që u kritikua gjerësisht se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: