Nga BESNIK DIZDARI

Për të kuptuar më mirë këtë Kombëtare të Shqipërisë 2024, disi vetvetiu, po më vjen përshtat te shkoj te Shqipëria 2016. Kjo jo thjesht se përherë krahasimet të çojnë në gjykime të sakta, por sepse këto dy arritje të mëdha të Shqipërisë brenda 8 vjetëve, të nxisin për kujtesa e analiza të shumta, prej të cilave besoj se do të dalin shumë përfundime…

E pra, a kemi të bëjmë me zhvillim të njëjtë të këtyre dy ngjarjeve tejet nderuese të Kombëtares së Shqipërisë? Them se jo. Ose kemi të bëjmë vetëm me një zhvillim të njëjtë: është ai që na thotë se në të dy rastet, këto “dy” Shqipëri u kualifikuan për në finalet e një Kampionati Europian. Por edhe këtu sundojnë ndryshimet.

Më 2016-ën Shqipëria u kualifikua për herë të parë në histori. Më 2024 Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori. Dhe krahasimi të kujton se hera e parë është ajo që mbetet edhe më fort në histori. Sepse ajo është nismëtare. Ndërsa e dyta është, si të thuash, vazhdim i së parës. Natyrisht një vazhdim mëse historik.

Dhe më tej: më 2016 Shqipëria u kualifikua duke u renditur e dyta në grupin e saj, duke marrë një trepikësh ndaj Serbisë me vendim. Më 2024, Shqipëria u kualifikua duke zënë vendin e parë në grupin e saj, përballë skuadrave të shteteve tejet futbollistikë si Çekia dhe Polonia. E, kësisoj, ndiej nevojën të shfletoj “ditarin” tim që më kujton: “…

Akti i parë dramatik i saj do të shfaqej në Beograd katër ditë pas asaj të stadiumit ‘Elbasan Arena’, të barazimit me Danimarkën. Ishte 14 tetor 2014. Për tjetër gjë isha parapërgatitur. Dhe ashtu si mijëra të tjerë, tjetër gjë përjetova. I kisha ngulur sytë në ekranin e vogël, pashë flamurin “fluturues” mbi stadiumin e “Armatës Popullore” të Beogradit, aty ku Shqipëria kishte humbur 0-4 më 1967 me Jugosllavinë e Titos. Dhe mandej “lufta” që buçiste në shtypin serb: “Ndeshja me Shqipërinë u ndërpre pas incidentit të shkaktuar prej mjetit fluturues pa pilot (dron) që synonte një provokacion politik…”.

Dhe mandej kjo tjetra:

Me vendim të UEFA-s, Serbia fiton 3-0 ndeshjen me Shqipërinë, mesa duket ngaqë kjo nuk ka pranuar të vazhdojë ndeshjen. Serbisë i hiqen 3 pikë mesa duket ngaqë ajo nuk ka siguruar zhvillimin e ndeshjes. Dhe vetëm kaq mjafton.

Mirëpo, prapë tjetra:

Apelimi shqiptar mbërrin te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, më saktë te organizmi i inspiruar dhe themeluar prej Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), siç është KAS-i (Këshilli Ndërkombëtar i Arbitrazhit Sportiv) i Lozanës. Dhe gjithçka hynte në histori si një tronditje në vetë themelet e UEFA-s. KAS-i vendos: “Ndeshja të homologohet fitore 3-0 e Shqipërisë!”.

Dhe Shqipëria e dyta e Grupit C të eliminatoreve të “Francë 2016”, çka do të thotë se për herë të parë ajo arrinte në finalet e një Kampionati Europian.

Kalojnë 8 vjet dhe ja ku mbërrin ndryshimi i dytë në raport me Shqipërinë e trajnerit Xhani De Biazi. Është një Shqipëri që në eliminatore nuk merr asnjë ndeshje me vendim tryeze të UEFA-s. Është një Shqipëri që nuk renditet e dyta në grupin e saj, por e para sipas kësaj pamje: Shqipëria 15 pikë, Çekosllovakia 15, Polonia 11, Moldavia 10, I.Faroe 2. Dramatike siç duket qartë: me pikë të barabarta. 1-1 në Pragë me Çekinë, 2-0 Polonisë, 3-0 Çekisë në Tiranë dhe ja ironia e fatit në mbyllje: 0-0 me Ishujt Farore në Tiranë. Komenti im ka qenë ky:

“…“Firma” përfundimtare: 0-0 me Ishujt Faroe. Nuk ka ku shkon më bukur falë kësaj Kombëtareje të mrekullueshme që ka sot Shqipëria! Madje një Kombëtare datuar 2023, e cila “përmbys” Shqipërinë 2016 kualifikuese të herës së parë, teksa sot ka në përbërjen e saj të 24 lojtarëve, vetëm 4 lojtarë të asokohe… Për historinë tonë “të vogël” të Shqipërisë po “të vogël”, po më vjen ta quaj këtë, një arritje fenomenale. Si gazetar, edhe përmes shkrimeve të mi, e kam ndjekur hap mbas hapi rrugën e suksesit të saj madhështor në këtë vit 2024 dhe për një çast po më duket se nuk kam çka të shtoj më tej. Sidomos kur mendon se dy ndeshjet e fundit të saj 1-1 me Moldavinë dhe 0-0 me Ishujt Faroe, nuk patën shkëlqimin e ndeshjeve të tjera… Sidomos kur kujtojnë që gati-gati në fund të asaj me Faroet, dramatikisht shpëtuam prej golit të një prej Kombëtareve më të fundit të Europës. Vërtet, çka do të thonim po të humbisnim prej “këtij” goli atë ndeshje? Do të mohonim deri dhe kualifikimin?

Kurrsesi!…”

Trajneri kishte një emër shumë më të gjatë se ai i De Biazit: Sylvio Mendes de Campos Junior – SYLVINHO. Është brazilian! Për ne një fakt legjendë!

Ndërkaq, historia e De Biazit te shqiptarët, të cilët dinë veç të harrojnë, “u harrua” edhe ajo. Dhe krahasimi ynë që vazhdon. Do të jetë dita e 11 qershorit 2016 në Lens të Francës. Është Shqipëri- Zvicër 0- 1, me gol të minutës 22 nga Schaar.

“… Me 5 shqiptarë, Zvicra mund Shqipërinë 1-0. Do të ndodhte që Shqipëria të debutonte në finalet e para të saj për një Kampionat Europian, duke u mposhtur çuditërisht, po aq sa prej zviceranëve të vërtetë, e po aq edhe prej shqiptarëve po të vërtetë. Ky ishte rekordi i madh, i paparë i historisë së një Kampionati Europian: kur një skuadër mposht një tjetër, duke pasur në 11-shin e saj pesë djem të racës së kundërshtarëve. Në formacionin e Zvicrës emrat e tyre ishin: Behrami, Xhemaili, G.Xhaka, Shaqiri, Mehmedi! Madje katër të parët ishin të njëmbëdhjetëshit titullar. Shtetas të Zvicrës, natyrisht, të lindur e të formuar prej saj, por shqiptarë të vërtetë të Kosovës shqiptare. Dhe me rekordin e dytë që ishte Europian e Botëror së bashku: për herë të parë në historinë e njerëzimit dy skuadra shtetesh të ndryshme, kishin dy vëllezër të ndarë kësisoji. Njeri lojtar i shtetit të Shqipërisë, tjetri lojtar i shtetit të Zvicrës: “shqiptari” Taulant Xhaka dhe “zvicerani” Granit Xhaka! Po mahnitej gjithë bota dhe episodi ishte i atij rangu, saqë po tronditej historia e Kombëtareve të futbollit të të gjithë rruzullit! Ishte një humbje përtej dinjitozes për Shqipërinë e Xhani De Biazit. Kjo ishte Shqipëria e herës së parë në finalet Europiane: (11 qershor 2016):

E.Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, Abrashi, Kukeli, T.Xhaka, (Kaçe 62’), Roshi (Cikalleshi 74’), Lenjani, Sadiku (Gashi 82’). Edhe këtu një rekord tjetër: ndër 13, vetëm 5 prej tyre i kishte prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë: Hysaj, Agolli, Roshi, Cikalleshi, Sadiku!…”.

Sidoqoftë ishin 5. Po sot?…

E mandej? Mandej 15 qershor 2016 dhe Francë-Shqipëri 2-0. Golat francezë në minutat 90’ e 97’, kur barazimi i madh për Shqipërinë quhej punë e kryer! Franca gëzohet, por gati nuk beson se ndodhi… E shoh që e keni harruar edhe këtë ngjarje të rrallë dhe fatale për gjithë Kampionatet e Europës. Shqipëria ishte një humbëse tronditëse, por ajo e lë stadiumin e Marsejës plot dinjitet. Një herë, në Elbasanin e saj e kishte mundur 1- 0 Francën e madhe.

Dhe mbërrin 19 qershor 2016. Në Lion ndodh Shqipëri-Rumani 1-0. Gol i Sadikut në minutën 43-të. Kjo edhe sot pas 8 vjetëve nuk mund të krahasohet me Shqipërinë 2024. Sepse ishte fitore, fitorja e parë shqiptare në finalet e një Kampionati të Europës. Që i dha vendin e tretë në Grupin e saj A me 3 pikë. La mbrapa Rumaninë. Nuk u arrit në EURO 2024. Qëndron si rekord që nuk di a do të mund të thyhet ndonjëherë. Rekord i Shqipërisë së trajnerit Xhani De Biazi.

Shkruaja:

“… E vërteta ishte se prej disa vitesh Shqipëria e futbollit të Kombëtares ishte nisur për në rrugën Europiane. Atë të dielë të mbrëmjes franceze të Lensit, vetvetiu ajo merrte pranimin legjitim në: ‘Bashkimin Europian të Futbollit’. Do të konstatohej kur do të mbërrinte te fitorja e çmuar me Rumaninë – çka do të ishte, si “diploma” e përparuar e këtij pranimi. E megjithatë, zoti nuk mi merrte mendtë sa të përfshihesha në euforinë ndezëse sikur të kishim fituar Kampionatin e Botës. “Me akull të kresë”, siç thotë Fishta, po kërkoja ta kuptoja më mirë atë arritje të bukur dhe të rrallë të Kombëtares së Shqipërisë, duke i bashkuar përmbajtjet e tri ndeshjeve europiane të saj përmes një kuptimi apo nënkuptimi sa më bindës që të ishte mundur. Shqipëria kishte vërtetuar se nuk kishte ardhur në Francë thjesht falë një trepikëshi të servirur mbi një “tabake ari” mbi tryezë, por se kishte formuar një Kombëtare të mirë të stilit europian. Emrat e aktorëve të saj europianë, tashmë të sprovuar, ishin këta 20 djem të tri ndeshjeve të paharrueshme, humbëse apo fituese qofshin:

Etrit Berisha, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Andi Lila, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Taulant Xhaka, Bekim Bala, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku. “Mbi ta” trajneri Xhani De Biazi…”.

Dhe ja tek mbërrijmë në vitin 2024. Është Shqipëria e trajnerit brazilian, Silvinjo. Është një tjetër 15 qershor, kësaj radhe është qershor i vitit 2024. Itali-Shqipëri 2-1! Gol i shqiptarit Bajrami në sekondin 23-të të ndeshjes. Rekord i Kamionateve Europiane. Kryesim 1- 0 për herë të parë në histori Shqipëria kundër Italisë, por mjaftojnë vetëm 10 minuta dhe 2-1 për Italinë! E mandej? Mandej 19 qershor 2024 dhe Shqipëri-Kroaci 2- 2. Madje 2-1 deri në të 95-ën, kur Gjasula – njeru i cili i kishte dhuruar një “autogol–gol” Kroacisë, shënon një gol spektakolar të një barazimi përtej historisë.

“… E kështu do të kalojë edhe ‘lavdia’ e këtyre dy ndeshjeve të fundit të Kombëtares. Që për të qenë me mend në krye, nuk ka pse t’i quajmë ‘lavdi’, megjithatë. Mjafton t’i quajmë nivel i lartë i futbollit, bukuri, dramë fort joshëse, kthesa, emocione të forta dhe vetëm kaq. Çka më duhet të nënkuptoj edhe rekordin e sekondës 23- të të Bajramit, apo dy golat brenda 300 sekondave të Italisë. Apo topin që ia fali Bajramit mbrojtësi i Italisë, Dimarko. Si dhe golin tronditës aq fort të çmueshëm të Qazim Laçit…”.

Mirëpo, ja ku mbërrin Shqipëri-Spanjë 0-1 e 24 qershorit 2024. Gol i Ferran Torres në të 13-ën. Për çudi një 11-sh spanjoll i përbërë nga lojtarë rezervë, por profesionistë të klubeve të mëdhenj edhe ata: Arsenal, Sevilla, Athletik Bilbao, Bayer Leverkusen, Real Madrid, Barcelona…

Një pjesë e parë e mpakur e shqiptarëve dhe një pjesën e dytë lojë e shkëlqyeshme falë ndërrimeve me Brojën e Hoxhën. Dhe me dy shpërthimet fantastike të Brojës fare pranë golit. Nuk desh Zoti. Shqipëria tregon futboll të lartë dhe lë fushën e lojës me një bilanc jo të pasur, megjithatë: 2 humbje, 1 barazim dhe vendin e fundit në grup me vetëm 1 pikë. Rekordi i De Biazit mbetet në fuqi.

Por më i rëndësishëm se ky është një rekord tjetër. Ai që fikson se Shqipëria brenda 3 edicioneve të një Kampionati të Europës arrin të jetë dy herë pjesë e turneut final. Kurrë nuk e patëm menduar këtë arritje!

Vetvetiu Shqipëria e trajnerit italian, Xhani De Biazi, vazhdon garën krahasuese me Shqipërinë e trajnerit brazilian Sylvio Mendes de Campos Junior – SYLVINHO. Mbetet një krahasim “universal” që nuk mund ndalë këtu…/ Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb