Së pari duhet të pranojmë që ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse çdo rezultat, por sidomos negativi, e ndërpriste rrugën drejt vendit të parë ose të dytë. Pra, kundër Çekisë, ekipi ynë ishte përballë një loje jo vetëm fizike, por edhe psikologjike për ta kaluar me sukses.

Kjo, sepse kishte të bënte me ecurinë e të gjithë Ligës së Kombeve. Pjesa e parë, duke u nisur edhe nga këto kritere të vlerësimit si vështirësia e ndeshjes, rezultati, ana psikologjike dhe ambienti sportdashës që ishte në stadium dhe kërkonte me çdo kusht një fitore, e bëri shumë të vështirë lojën e ekipit tonë, sidomos në 35 minutat e para. Përgjegjësia e ndeshjes e detyroi skuadrën që të zbatonte deri diku aspektin mbrojtës.

Pra, kthimin ë gjysmën e fushës tonë dhe marrja e masave për të mos lejuar kundërshtarin që të rrezikonte portën e Strakoshës. Një mënyrë e tillë loje shpesh herë e ka vënë skuadrën tonë në vështirësi, sepse nuk ishte në gjendje të kontrollonte si lojën brenda për brenda fushës dhe po ashtu edhe mënyrën e zhvendosjes së veprimeve të çekëve në drejtim të portës sonë. Kundërshtari në këto 45 minuta zotëroi edhe fushën, edhe lojën. Ajo që e bëri të vështirë marrjen e masave ishte sepse në shumicën e rasteve çekët aplikonin me sukses pasimin e gjatë në drejtim të qendrës së tyre sulmuese.

Qendërsulmuesi i tyre, Hori, ishte e vështirë të markohej. Atëherë, duke parë edhe rrjedhën e 45 minutave të para, pritej padyshim që në pjesën e dytë Shqipëria të ndryshonte dhe mendoj se ndryshoi për mirë. Por, çfarë ishte kjo ngecje në mendim dhe drejtim të skuadrës sonë Kombëtare?! Unë mendoj që më tepër erdhi për arsye psikologjike nga frika se mos pësonin gol dhe befasia me të cilën u kapën për mënyrën e lojës së çekëve në dy aspekte: qoftë në qarkullimin e topit dhe zotërimin e fushës, qoftë edhe në aplikimin me sukses të topit të gjatë, që jo vetëm e vinte në vështirësi mbrojtjen tonë, por lejonte që topat e kthyer të kapeshin përsëri nga çekët. Kjo e rëndonte së tepërmi situatën.

SINTEZA E ASLLANIT

Më tërhoqi vëmendjen përcaktimi që i bëri ndeshjes një prej lojtarëve tanë, Asllani. Ai deklaroi se ishte një ndeshje pingpongu dhe është vërtetë një sintezë e gjetur, që ka një domethënie për atë që pasqyroi ky takim delikat, ku përcaktoi në fund të fundit edhe barazimin. Rezultati ishte i kënaqshëm, siç u pa, për të dy ekipet. Trajneri kërkon që të marrë maksimumin nga çdo lojtar dhe kur ai shprehet që ‘jam krenar me lojën që ata pasqyruan’, atëherë OK. Kjo është një vlerë e shtuar. Është një vlerë që mban lart optimizmin dhe që ka në thelb edhe mobilizimin e jashtëzakonshëm për ndeshjen me Ukrainën.

PROBLEMET DHE FRIKA E HUMBJES

Çekia luajti më ndryshe sesa në ndeshjen e zhvilluar në Pragë. Trajneri i tyre aplikoi me sukses presingun në gjysmëfushën tonë, duke mos e lejuar Shqipërinë që të dilte edhe në veprime mbështetëse të mesfushës dhe sulmit. Aplikimi i lojës me topa të gjatë ishte mjaft i studiuar nga ana e çekëve dhe ne na vuri në vështirësi shumë të madhe. Organizimi i lojës nis që nga mbrojtja, por lojtarët tanë mbrojtës nuk ishin në gjendje, sepse së pari, duhej të mbroheshin nga këto vertikalizime të topit dhe së dyti duhej të kishin mendjen dhe e kundërshtari, i cili nuk lejonte që ata të dilnin me pasime, të organizuar dhe të mbështesnin dhe veprimet e mesit të fushës dhe të sulmit. Kjo ishte arsyeja e parë e vështirësisë nga pikëpamja taktike dhe teknike. E dyta, padyshim që megjithëse para ndeshjes shprehemi se është takim që duhet kaluar patjetër, në brendësi të ndërgjegjes të lojtarëve dhe trajnerit është frika e humbjes. Gjithmonë kjo anon më tepër, sidomos kur luan në fushën tënde dhe në këtë aspekt lojtarët nuk ishin të lirshëm. Veprimet e tyre ishin të nxituara dhe po ta shohësh me vëmendje, të gjithë vepronin me kokën ulur. Pra, nuk kishin shikim periferik dhe as mbështetje se ku të dërgohej topi i parë.

ASANI I PRISHI EKUILIBRAT

Unë mendoj që dalja e papritur e Asanit për shkak dëmtimi i prishi ekuilibrat. Sado që Asani, Tuci dhe Bajrami, 70 për qind kishin detyra mbrojtëse, sërish Jasiri ka një specifikë, pasi është lojtar teknik, që driblon, fiton duelet me kundërshtarin dhe godet portën. Ne nuk kemi goditur më shumë se 4-5 herë gjatë gjithë ndeshjes portën e Çekisë. Mendoj se lojtarë si Asani, Muçi dhe Uzuni, duhet të gjejnë vend më tepër, hapësira më të mëdha. E thashë edhe më lart, është thjesht detyrë e trajnerit, si e mendon dhe si është i përgatitur ai për ndeshjen.

MUÇI DHE UZUNI, DILEMAT E MËDHA

Pse Muçi dhe Uzuni nuk marrin më shumë minuta?! Kjo është një dilemë jo vetëm e imja, por e gjithë opinionit. Në këtë aspekt, unë nuk di si ta argumentoj që pse nuk veprohet pak më ndryshe me këta lojtarë. Ndoshta besimi i krijuar nga trajneri tek ata lojtarë që ka menduar t’i fusë në formacion, është i tillë që nuk lejon që ne të japim mendim. Jo se nuk dimë ta japim mendimin ndryshe, por në fund të fundit është përgjegjësia e trajnerit për këtë formacion dhe mënyrë loje. Trajneri ka treguar se ndryshon pak dhe gjithnjë e më tepër Muçi dhe Uzuni s’kanë pasur hapësirën e duhur. Të martën është ndeshja me Ukrainën dhe nuk dua që lojtarët të rëndohen me analizën apo konkluzionet tona. Një humbje me Ukrainën të dërgon në fund fare.

UKRAINA, LODHJA DHE NDRYSHIMET

Një avantazh për trajnerin në këtë moment është se jemi sërish pritës dhe nuk lëvizim si ekipet e tjera në transferta. Të tjerët do të vijnë me avion dhe është avantazh faktori fushë. Nuk duhet të ketë absolutisht ndonjë moment që të jemi të çliruar se mund ta kalojmë lehtë Ukrainën. Nëse e mendojmë, kjo do të jetë shumë e gabuar. Lodhja me çekët mund të ndikojë për disa lojtarë edhe në këtë ndeshje. Ukraina luan komplet ndryshe nga Çekia dhe Gjeorgjia. Ka lojtarë teknikë, të shpejtë, individualë, goditës të mirë të portës, por që dinë të organizohen shumë mirë edhe në gjysmëfushën e tyre. Me këtë rezultat kundër Çekisë, tani unë e shoh këtë ndeshje me Ukrainën shumë të vështirë. Sigurisht Silvinjo mund të bëjë ndonjë korrigjim nëse do të shohë ndonjë lodhje të tepruar te lojtarët apo nëse kërkon ta aplikojë ndonjë mënyrë tjetër të vendosjes së ekipit. Një ose dy ndryshime edhe mund të bëhen, sepse në këtë takim duhet fitorja. Nuk kërkon më barazimin, por patjetër fitoren. Se si arrihet kjo, unë nuk kam ndonjë recetë, atë e di Silvinjo dhe skuadra. PANORAMA SPORT

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb