MAQEDONI-Kreu i opozitës i të majtës maqedonase (SDSM) Zoran Zaev akuzoi sot kryemistrin konservator, Nikola Gruevski për marrjen e 20 milionë eurove rryshfet për dhënien pa tender kompanive kineze të ndërtimit të dy segmenteve të autostradës.

“Bëhet fjalë për një prej skandaleve më të mëdha lidhur me korrupsionin jo vetëm në vendin tonë, por në rajon”, theksoi Zaev në një konferencë shtypi.

Sipas Zaev, kryeministri ka marrë këtë shumë për ti besuar, pa tender, ndërmarrjeve kineze ndërtimin e dy segmenteve të autostradës Kicevo-Ohër në perëndim dhe Miladinovci-Stip në lindje të vendit.

”Shuma e këtyre punimeve është vlerësuar në 570 milionë euro”, theksoi ai.

Megjithatë, përfundimi i kontratës u miratua në tetor 2013 nga Parlamenti ashtu siç e parashikon ligji, kur nuk zhvillohet tender.

Që prej fillimit të vitit, pushteti dhe opozita kanë bërë akuza të ndërsjellta shumë të rënda duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike, që sipas Zaev nuk mund të kapërcehet vetëm pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.

Sipas medias lokale, përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës do të takohen të hënën në Bruksel nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian me qëllim për të dalë nga kjo krizë.

Në fund të muajit janar, qeveria e Gruevskit ka akuzuar shefin e opozitës për spiunazh. Tre të dyshuar në këtë çështje duke përfshirë dhe një ish-shef të shërbimeve sekrete, u arrestuan.

 

(a.n/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: