TIRANE- Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar pasditen e sotme një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare, pas protestës së tre ditëve më parë në Rrugën e Kombit, dhe arrestimit të protestuesve.

Burime nga PD konfirmojnë për “BalkanWeb” se opozita do të mbështesë mosbindjen civile të qytetarëve për të mos paguar tarifat e larta në Rrugën e Kombit.

Mësohet se grupet parlamentare të PD dhe LSI po diskutojnë për të nisur protestat masive popullore. Në mbledhjen e sotme të grupeve PD-LSI pritet të vendoset edhe data e protestës.

Burimet sqarojnë se protestat popullore do të mbahen kundër taksave, kundër grabitjes së shqiptarëve, kundër sundimit nga krimi.

“Vendi qeveriset nga një bandë që grabit, vjedh, plaçkit shqiptaret. Kukësi e tregoi më qartë këtë. Thirrje pa kompleks për mosbindje civile. Të bllokojmë rrugët, thirrje që të mos paguajnë taksat e rritura, taksa e pronës, e Rrugës së Kombit, e ujit, e dritave. Zgjidhja nuk vjen vetëm nga kërkesat ekonomike, do të kërkojmë zgjidhje politike. Stabiliteti i krimit në Shqipëri nuk pranohet. Vetëm demokraci”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: