TIRANË

Në orën 16:00, pas një takimi kokë me Berishën e Kryemadhin, kryedemokrati Basha njoftoi mbylljen e protestës  për ditën e sotme. Ai tha se kjo ishte nisja e një kryengritjeje, e cila do të vijojë të enjten më 21 shkurt. Në 5 orë protestë, protestuesit e opozitës thyen dyert e Kryeministrisë, Garda brenda Kryeministrisë dhe në taracë iu është përgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit i kanë vënë flakën edhe pemëve para Kryeministrisë.


Opozita e Bashkuar protestoi sot kundër qeverisë “Rama”. Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.


Opozita është deklaruar kundër dhunës por shton se gjithçka është në dorën e protestuesve. Në protestën e sotme, ndryshe nga sa jemi mësuar munguan fjalimet dhe flamujt politikë, ndersa u vune re vetëm parulla e slogane të qytetarëve.

Basha mbyll protestën

ORA: 16:00- Kryedemokrati Basha pas një konsultimi kokë më kokë me Kryemadhin e Berishën ka vendosur mbylljen e protestës për sot. Ai tha se rezistenca nuk përfundon sot, duke shtuar se protesta e radhës do jetë të enjten më 21 shkurt ora 10:00.

Kryemadhi-Ramës: Nuk të lëmë të hysh në zyrë

ORA 15:37- “Nuk të lëmë të hysh në zyrë”, ka thënë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duke iu drejtuar në këtë mënyrë kryeministrit të vendit Edi Rama.

“Këtu na ke Edi Rama. Nuk do të lëmë të hysh në zyrë . Ky nuk do na trembë më. Ai e di shumë mirë që po të duam ne e nxjerrim për 10 minuta nga zyra”,- tha ajo nga sheshi përballë kryeministrisë.

Ministria e Shëndetësisë: 5 policë dhe 5 protestues të lënduar

ORA 15:25- Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion për të lënduarit e protestës së opozitës së bashkuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 5 policë, të lënduar me mjete të forta, në kokë dhe në kurriz, janë transportuar për trajtim të specializuar në spitalin universitar të Traumës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm. Ndërkaq sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë mbetur të lënduar edhe dy perfaqesues te medias dhe 5 protestues.

Protesta, digjen pemët para Kryeministrisë

ORA 15:20- Protestuesit po i provojnë të gjitha mënyrat për të hyrë në Kryeministri. Ata i kanë vendosur flakën pemëve para godinës, ndërsa policia ka reaguar duke hedhur sërish gaz lotsjellës.

Vijon protesta prej 4 orësh, i vendoset flaka kryeministrisë

ORA 15:02 Protestuesit vijojnë protestën e tyre prej 4 orësh, ndërsa i kanë vendosur flakën dyerve të kryeministrisë.

Gaz lotsjellës e plumba gome nga tarraca e kryeministrisë

ORA 12:50– Garda e Republikës ka qëlluar me plumba gome dhe gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë në drejtim të protestuesve të cilët çanë kordonin e policisë për herë të dytë dhe mësynë kryeministrinë.

Çahet sërish rrethimi i policisë, protestuesit i mësyjnë Kryeministrinë

Ora 12:40 Protestuesit kanë carë sërish kordonin e policisë dhe i janë drejtuar kryeministrisë. Ndryshe nga hera e parë kur protestuesit tentuar të futen brenda kryeministrisë këtë herë janë paska më të qetë dhe po qëndrojnë tek dera e Kryeministrisë.

Policia thirrje me megafon: Ndërprisni veprimet e dhunshme

Ora 12:20- Prej nisjes së incidenteve, Policia po iu bën thirrje me megafon protestueseve që të ndërpresin veprimet e dhunshme.
“Ndërprisni veprimet e dhunshme, ruani qetësinë! Veprimet që po kryeni përbëjnë vepër penale. Policia do të zbatojë ligjin”, ka bërë thirrje policia me megafon.

Përplasjet tek Kryeministria, 6 të lënduar, i merr ambulanca

Ora 12:05 Janë 6 protestues që kanë pësuar lëndime të ndryshme në protestën e opozitës. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se protestuesit kanë pësuar lëndime nga goditjet me sende të forta dhe të tjerë me probleme asfiksie dhe djegie sysh.

Dy ambulanca kanë hyrë mes turmës dhe kanë marrë dy protestues që kanë humbur ndjenjat, me sa duket për shkak të gazit lotsjellës. Protestuesit i kanë hapur rrugën ambulancës për të marrë të lënduarit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Tension në protestë, apelon Presidenti: Duhet vetëpermbajtje

Ora 11:55 Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar me urgjencë, menjëherë pas përshkallëzimit të protestës para kryeministrisë. Meta apelon për kërkon të tregohet vetëpërmbajtje per evitimin e konfrontimeve.

“Duhet vetepermbajtje nga te gjithe per evitimin e konfrontimeve e dhunes. Ndersa qytetaret duhet te protestojne te lire duhet te respektohen institucionet” – shprehet Presidenti.

Reagimi i presidentit ishte i menjëhershëm pasi qytetarët mësynë drejt kryeministrisë duke carë kordonin e policëve, dhe duke  thyer dyert e xhamat e institucionit.

Tensione para Kryeministrisë

Ora 11:45- Tensionohet protesta para Kryeministrisë, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë hipur në pjesën e sipërme. Ata kanë hedhur molotov dhe shishe me benzinë, ndërsa kanë shyqer mbulesën e skelës me hekura të vendosur para Kryeministrisë. Policia, e cila ka qenë e paarmatosur është tërhequr dhe protestuesit janë praktikisht në dyert e kryeministrisë. Disa kanë hipur edhe mbi skelë dhe të tjerë kanë thyer xhamat e dyerve. Garda nga brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës nga xhamat e thyer për të larguar protestuesit që kanë tentuar të hyjnë brenda. Në skelëna para Kryeministrisë është ngritur dhe një flamur i Partisë Demokratike.

Basha dhe Berisha ulen këmbëkryq me protestuesit

ORA 11:20– Opozita e bashkuar ka nisur protestën në Bulverdadin ‘Dëshmorët e Kombit’. Pas bashkimit me qytetarët, Basha është ulur për disa minuta këmbëkryq me protestuesit.

Në krah të Bashës ishte edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili gjithashtu është ulur këmbëkryq.

Nis protesta e opozitës, Basha u bashkohet qytetarëve  

Ora 11:06– Kreu i PD Lulzim Basha ka dalë nga selia dhe i është bashkuar qytetarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

 

PD: Ja kush do flasë në protestë

Ora 10:40– Partia Demokratike ka konfirmuar sot se protesta nuk do të ketë fjalime nga kryetarë partish. Sipas PD, fjalën e kanë vetëm qytetarët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kreut të opozitës për të marrë fatin në duart e tyre.

“Protesta do të hapet nga një vajze e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën përfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës. Do të ketë përfaqësues nga biznesi i vogël, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre”, bën të ditur PD.

Rama si Maduro, pankartat e të rinjve të FRPD në protestë

Ora 10.50 – Të rinjtë e FRPD kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama duke e krahasuar atë me Presidentin e Venzuelës Nicolas Maduro. Në jo pak deklarata politike deputetë të PD janë shprehur se kreu i qeverisë shqiptare do të ketë të njëjtin fund si presidenti Nicolas Maduro.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

FRPD menaxhon protestën

Ora 10:50- Do të jenë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që do të menaxhojnë dhe mbajnë nën kontroll protestuesit e thirrur sot në protestën e opozitës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se 500 te rinj të FRPD do të bëhen kordon para protestuesve.

Formohet kordoni i policëve para Kryeministrisë

Ora 10:40- Kur na ndajnë vetëm pak minuta nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, policia është bërë kordon para objektit të Kryeministrisë. Në gardhin e efektivëve të policisë ka shumë pak police femra, pothuajse të gjithë janë policë meshkuj. Ndërkohë në derën e Kryeministrisë qëndon një zjarrfikëse dhe punonjës të zjarrfikësve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryeministria rrethohet me tela me gjemba

Ora 10:00- Gazetarja Dorjana Bezat raportoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se në dyert e Kryeministrisë janë vendosur tela me gjemba. Ndryshe nga herët e tjera, masat e marra nga policia janë më të shtuara dhe ndërkohë që Kryeministria është objekti më i vëzhguar për shkak se protestuesit do të mblidhen para saj. Mbi taracën e Kryeministrisë ka punonjës të Gardës që vëzhgojnë me dylbi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Asnjë nuk i ndal protestuesit”, Basha mbërrin në selinë e PD

09:45 – Kur na ndajnë edhe 1 orë e pak nga nisja e protestës së opozitës, kreu i PD Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi mësohet se ndodhen në selitë e forcave politike që ata përfaqësojnë. Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth orës 09:40 dhe është shprehur shkurt për gazetarët se ‘asgjë nuk i ndal protestuesit’. Sakaq deputetet e tjerë të opozitës janë shpërndarë në njësi të ndryshme dhe pritet të bashkohen në orën 11:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Bëhen gati autobotet, policët pajisen me maska kundër gazit

Ora 9:35- Plot 1300 forca policie do të jenë sot në terren të angazhuar për protestën e opozitës së bashkuar që do të nisë në orën 11:00 në Tiranë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se nga ana e strukturave të policisë ka nisur të vihet në zbatim plani i masave.

“Ka nisur që në orët e para të mëngjesit shpërndarja e policisë nëpër kryeqytet dhe jo vetëm por edhe në akset lidhëse me qytetet e tjera ka prezencë të shtuar të policisë rrugore.
Është ndjekur protokolli dhe janë vendosur autobotet me ujë pas kryeministrisë, zjarrfikëse dhe ambulanca në rast të ndonjë emergjence. Pritet që të jenë 1300 efektivë policie në terren, 900 do të vendose para Kryeministrisë”, deklaroi Bezat.

Ajo tha se efektivët që do të jenë në krahë të protestuesve janë pajisur me maska kundër gazit në rast të hedhjes së bombave molotov apo sendeve të tjera piroteknike.
Policia do mbajë në monitorim personat që konsiderohen të dhunshëm dhe që janë verifikuar më herët.

Nga minjtë tek bileta e prerë e Ramës, ja sloganet e protestuesve

Ora 9:00- Nga Vlora janë nisur autobusë e mjete private me protestues drejt Tiranës, ndërkohë që vetë kryeministri do të jetë sot në Vlorë.

Në një prej autobusëve është vendosur një pankartë ku shkruhet “Ky është fundi i hajdutëve”.
Sipas PD, ky është slogani i protestuesve vlonjatë, të nisur me autobusë dhe makina drejt Tiranës. Në foton e pankartës shihet një mi në çark, simboli për fundin e hajdutëve.

Ndërkohë durrsakët kanë si lajtmotiv, përgjimet e Zërit të Amerikës. “VOA tapes. Rama+crime bought elections. Rama+Dako+Avdylajt”, është mesazhi që me sa duket iu drejtohet ndërkombëtarëve. Nga Shkodra vjen një tjetër parrullë. “Edi Rama ke marrë fund. Po vijnë shkodrant si lum”, shkruhet. Nga Elbasani ka diçka dhe më të rëndë. “Edi Ramës populli ia ka prerë biletën në të sëmës”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

PD jep shifrat e para: Ja sa protestues janë nisur drejt Tiranës

Ora 8:50-Partia Demokratike ka dhënë shifrat e para të protestuesve të nisur nga rrethet drejt Tiranës. Sipas PD, raportohet se janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës. Vihet re sipas këtyre të dhënave, qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë; Qarku Lezhë – 6800 qytetarë; Qarku Kukës – 4000 qytetarë; Qarku Dibër – 3500 qytetarë; Qarku Durrës- 9100 qytetarë; Qarku Elbasan – 7500 qytetarë; Qarku Berat – 3000 qytetarë; Qarku Fier – 4800 qytetarë; Qarku Vlorë – 4500 qytetarë; Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë; Qarku Korçë – 4200 qytetarë.

SITUATA NE QARQE:

GJIROKASTER-4 autobusë dhe 250 mjete private janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit nga Gjirokastra nën organizmin e drejtuesve të PD në këtë qark.

BERAT– 8 autobusë dhe 180 mjete të vogla janë nisur nga Berati. 6 autobusë janë nisur nga Skrapari. Ka pasur edhe tensione me policinë pasi një autobus është ndalur nga policia, por më pas autobusi është lejuar të kalojë. Autobusi ishte bllokuar nga policia pasi nuk kishte fletë udhëzimi drejt Tiranës.

SHKODER– Edhe në Shkodër ka pasur një organizmi nga drejtuesit e PD.  Janë rreth 30 autobusë dhe furgonë nga Shkodra që janë nisur para teatrit ‘Migjeni’ në drejtim të Tiranës. Në kryebushat ka pasur një kontroll të protestuesve në autobus.

DIBER– Sipas PD anë mijëra persona që janë nisur nga qarku Dibër për të protestuar në Tiranë. Ka pasur postblloqe nga policia në Maqellarë dhe në Burrel dhe policia ka qenë korrekte.

FIER– Rreth orës 07:00 simpatizantë dhe qytetarë të ndryshëm janë nisur nga Fieri dhe rrethinat. Deputeti i PD Luan Baci tha se janë mbi 300 mjete të vogla si dhe autobusët nisur nga ky qark drejt Tiranës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe më pas ka lënë të lirë qytetarët për të udhëtuar drejt Tiranë.

LEZHE– Janë dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës edhe nga Lezha.

VLORE– Nga Vlora janë konfirmuar nga drejtuesit e PD rreth 1800 qytetarë të ndarë në 13 autobusë dhe makina të vogla. Rama pritet të zhvillojë një takim me qytetarët në këtë qytet dhe mohohet se do të zhvillohet antimitig.

KORCE– Shumica e qytetarëve nga Korça janë nisur me 12 autobusë si dhe 10 mikrobusë. Shumë qytetarë nga Korça nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së mjeteve.

ELBASAN– Sipas PD janë 7500 qytetarë që pritet të marrin pjesë në protestën e opozitës. Sipas kreut të PD në Elbasan nisja do të nisë në orën 09:00 drejt Tiranë.

DURRES– Janë nisur 20 autobusë dhe furgonë si dhe mjete të vogla që janë nisur drejt Tiranë. Protestuesit kanë thënë se nuk kanë pasur vështirësi në autostradë. Kanë qenë 4 pika të nisjes së mjeteve nga qyteti bregdetar.

(m.k/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb