Partia Demokratike bashkë me aleatët e saj e shpalli vendimin që prej kohësh qarkullonte në korridoret, jo vetëm të shtëpisë sonë: protesta deri në largimin e këtij Kryeministri nga pushteti. Duhet ta pranoj se ishte një kërkesë që na përsëritej, mua e kolegëve të mi në çdo takim, jo vetëm nga militantë e simpatizantë, por edhe nga intelektualë, indiferentë deri dje për betejën politike, pasi kishin zgjedhur rrugën e shkurtër, atë të vendosjes së shenjës së barazimit mes PD-së e PS-së. Kam qenë ndër ata që jam munduar te gjej arsyen e kësaj lloj logjike, edhe pse është krejtësisht e gabuar. Në fakt, nuk është aspak e lehtë të bësh opozitë e të ringrihesh pas humbjes. Partia Demokratike e ka provuar këtë, mëse një herë në historinë e saj 29-vjeçare. Nuk është aspak e lehtë ta bësh këtë kur ndryshon lidership, e për pasojë edhe mënyrën e të bërit opozitë. Akoma më pak e lehtë është kur ke përballë një model unik kundërshtari, një artist të frustruar me genotip diktatori, që ka zgjedhur politikën, jo si mënyrë për ta çuar përpara këtë vend, por si mjet për të marrë nga karrigia e pushtetit, benefitin e talentit të munguar si artist.

Modeli i opozitës së Partisë Demokratike është tentuar të përcillet si i pafuqishëm, por me fare pak vëmendje e kujtesë, secili, edhe më skeptikët, edhe militantët e maxhorancës, mund të kujtojnë e pranojnë ç’ka tashmë janë regjistruar si fakte nga opozitarizmi i Partisë Demokratike.

Kanë qenë denoncimet e forta të saj, që prej kanabizimit të vendit, transportit të drogës me avionë, vetë ministri i Brendshëm, sot nën hetim, me akuzën e ofrimit të mbrojtjes jo thjesht politike, por shtetërore trafikantëve, e fakte po aq kokëfortë janë edhe oficerët madhorë në arrati, për të njëjtat akuza. Ishte denoncimi i Partisë Demokratike që bëri që vëllai i ministrit tjetër të Brendshëm të shkonte të vuante dënimin në Itali për narkotrafik. E njëjta opozitë, që me denoncimet e saj i dha një dorë vetë mediave, të strukura nën peshën e vetëcensurës, të flisnin hapur për tenderat e koncesionet korruptive të kësaj qeverie me skemën tipike abuzive të propozimeve të pakërkuara, në interes të një grupi të ngushtë njerëzish pranë Kryeministrit e tejet flagrante, deri në favorizimin fiskal për oligarkët.

A ishte Partia Demokratike që e denoncoi që në fillim si korruptiv tenderin e Unazës së Re, një ilustrim i makutërisë së një Kryeministri të pacipë, që është gati të hedhë mbi 200 familje në rrugë? “Koha”, në fakt, “News24” dhe “Zëri i Amerikës”, e provuan se Partia Demokratike kishte të drejtë, media që provoi njëlloj si simotrat e saj në Shqipëri gjuhën e dhunshme e pa fre të një Kryeministri të rënduar psiqikisht, aq sa nuk arrin të dallojë kufirin ku mbaron normaliteti e nis çmenduria.

I kam përjetuar jo pa shqetësim insinuatat, që hidheshin pas rikthimit tonë në Parlament funddhjetorin e kaluar. Dominonte logjika e shkurtër se PD u rikthye për të shpëtuar mandatet në Kuvend. Personalisht, hyj tek ata individë, jo thjesht deputetë, që nuk mendoj se djegia e mandateve është prova që opozita duhet t’i japë opinionit publik, dashamirës apo jo ndaj aksionit të saj.

Së pari, sepse nuk mendoj se djegia e mandateve do sjellë reflektim nga Kryeministri. Edi Rama na e ka provuar, vetëm naivët nuk e kuptojnë, se as nuk e percepton konceptin e demokracisë, pra, që të ketë një palë tjetër, që e kundërshton. E dëshmojnë çdo ditë këtë zgjedhjet që bën, që nga ministrat, që i ka njerëz anonimë e pa eksperiencë, te shoqëritë e spikatura, personat me rekorde kriminale. Pra, ai vetë është mëse komod me mungesën e opozitës në Parlament, e natyrisht me justifikimin gati se ajo është bojkotuese.

Së dyti, reflektimi i pritshëm do mungonte edhe nga ndërkombëtarët. Si ata të BE-së, ashtu edhe nga SHBA, kanë jo pak sfida brenda vetes, për pasojë, Shqipëria prej kohësh nuk është më ndër prioritetet e tyre. Tashmë kanë gati formulën klishe, “jo bojkotit, po bashkëpunimit”, e nuk thellohen më sesi demokracia shqiptare, për të cilën secili ka dhënë kontributin e vet në këto 28 vite, po rrëshqet dukshëm në modelin putinian, të cilit secili aq fort i druhet.

Së treti, mandatet tona në Kuvend janë “pronë” e qytetarëve, atyre që na kanë votuar në vetë të parë e të tjerëve që na mbështesin ditë pas dite. Pra, ato nuk mund në asnjë rast t’i dhurohen Edi Ramës.

Për ata që thonë se Edi Rama nuk i konsideron zërat opozitarë e vazhdon të shkelë sistematikisht jo vetëm Kushtetutën, por edhe ligjet që vetë miraton, u them se ky është këndvështrimi naiv i të parit të gotës gjysmë bosh. A ka ndihmuar opozita që qytetarët të hapin sytë, edhe ata që kishin pritshmëri të larta adhuruese, edhe analistët trendy, se cili është realisht Edi Rama? Kjo është një pyetje e pastër retorike, që në fakt pasohet nga një sfidë: a jeni gati, secili nga ju, që tashmë e pranoni edhe në vetë të parë, qoftë nëpër media, vendet e punës, kafene a rrjete sociale, se Edi Rama po shkatërron shpresën në këtë vend, se po i detyron njerëzit të ikin nga sytë këmbët, se po abuzon me taksat tona, deri edhe për kapriçot e luksit në zyrën e tij, se të ngjashëm ka vetëm Putinin e atin e tij të natyrshëm Hoxhën? Secili e teston çdo ditë këtë realitet.

Pra, pas vendimit të fundit të Partisë Demokratike për protesta, pikëpyetja e madhe është: A jeni gati t’i bashkoheni përpjekjes për ta ndryshuar këtë realitet, që e provojmë secili në kurriz?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb