Situata në Partinë Demokratike është kryefjalë e emisionit “Open” në News24.
I ftuar në studio, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se tashmë në PD nuk ka më përjashtime dhe se opozita nuk do të jetë më peng e lojërave politike dhe s’do vazhdojë të jetë e kapur.
Këtu ka ndërhyrë analisti Fatos Lubonja, i cili e konsideron Berishën pjesë të kësaj opozite, që ai thotë se është e kapur edhe pse ai nuk ka qenë në poste drejtuese.
Ndërkohë, nga ana tjetër aktivisti Adriatik Lapaj, bën përgjegjës ndryshimet e bëra në 2008 që sollën në realitet sërish servilizmin.
Lubonja: Në natyrën e tij si opozitar agresiv ka çuar diskursin retorik në ato nivele, qoftë edhe me Bashën. O të përjashton, o të pranon si të nënshtruar. Kjo situatë e 35 deputetëve shtoi frikën nga amerikanët. Berisha ka krijuar këtë situatë në PD me nje jetë parlamentare katastrofë.
Berisha: Ne kemi hequr përjashtimet. Me një opozitë të kapur, vendi nuk ka opozitë. Si mund të ndërpritej Komisioni Hetimor Parlamentar? A mund të rrijë opozita peng i këtyre lojërave? A duam një opozitë, mos jemi e kapur?
Lubonja: Si u kap kjo? Ju aty keni qenë
Berisha: Shikoni dosjen Muzin. Shkova i thashë Bashës: Ti je ministër i Brendshëm, si mund të dekonspirosh një operacion policor? E pyeta si është historia e parave. Me tha është mbledhur nga diaspora dhe ia dhashë këtu. Pra, kur kryeministri të mbylle dosjen.
Lapaj: Unë Berishën e shikoj si qytetar dhe politikan. Si individ gëzon respektin tim në luftën për dinjitet. Si politikan ka rezerva. Që të të fusë vota në politikë dhe të të nxjerrë vota duhet meritokraci, që bashkë me Ramën e keni prishur këtë. Vini vërdallë rreth një rrethi vicioz që nuk ka rrugëdalje. Ndryshimet e 2008 kthyen servilizmin në realitet.
Berisha: Thelbi i ndryshimit të 2008 ka qenë rajonalizimi. Ai ligj ka garantuar plotësisht rajonalizimin. Pse ai nuk ishte i hapur? Për mua nuk kishte asnjë problem të ishte i hapur. Po kush fiton me garë të hapur në Shqipëri? Po të ishte e hapur fare do të kishte një ushtri prej tyre në Parlament. Kur unë dhashë dorëheqjen mora përsipër çdo përgjegjësi për humbjen. Të gjithë i çlirova nga barra e përgjegjësisë për disfatën. Të bëhem unë përgjegjës për ecurinë, kur nuk kisha asnjë përzierje në punët e brendshme përveçse për ato që më pyeste kryetari, nëse në këto 9 vite u krijua një shkretëtirë në figura, është përgjegjësi e dikujt tjetër.
(BalkanWeb)