Aleatët e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka shprehen se kushtet e Bundestagut për Shqipërinë duhet të përmbushen sa më shpejt, në mënyrë që vendit të mund t’i çelen negociatat vitin që vjen.

Sipas Kreut të LZHK, opozita ka në plan të japë një përgjigje për çdo kërkesë të Bundestagut, aksion që do vazhdojë deri në muajin dhjetor. Ai thotë se nëse këto propozime nuk pranohen si zgjidhje nga Kryeministri Rama, atëherë reagimi i opozitës së bashkuar do të jetë edhe më i fortë në shesh. Ndërsa për kreun e demokristianëve, vendimet e Bundestagut janë udhërrëfyesi i opozitës dhe e vetmja mënyrë që të zhbëhet kriza politike.

Dashamir Shehi thotë se reforma zgjedhore, e cila është edhe një nga kushtet e Bundestagut, duhet t’u shërbejë shqiptarëve dhe për këtë duhet të ketë diskutime mes palëve. Edhe Nard Ndoka shprehet se për reformën zgjedhore duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse.

Kreu i LZHK, bëri apel që Kryeministri Rama të ndjekë rrugën që po ndërmerr Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili, pas vendimit të Këshillit Europian, vendosi ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Vetëm një ditë më parë Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët e opozitës së bashkuar. Të djathtët dolën me një qëndrim unanim, se me Edi Ramën në krye të vendit, cenohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, e për këtë arsye duhet një qeveri e re, e cila të marrë përsipër këtë rrugëtim të vendit dhe plotësimin e reformave të nevojshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb