LIVE

Tensione jashtë sallës së Parlamentit. Përsëritet skenari i dy jave më parë. Deputetët e PD tentojnë të hyjnë në seancë dhe të largojnë gardhin metalik, por nuk janë lejuar nga Garda. “Mos mbroni hajdutët dhe kriminelët. T’u vijë zor”, dëgjohet të thuhet nga deputetët e PD. Deputetët e papërjashtuar kanë pasur probleme për të hyrë, por ata që kanë qenë brenda kanë mbledhur karriget në foltore. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nisi punimet e seancës mes protestës së deputetëve opozitarë jashtë Kuvendit dhe kaosit brenda Parlamentit.

Ndërkohë kërkohet lejimi i hyrjes në Kuvend për deputetët e pa përjashtuar. “Ky parlament që është burg i sigurisë së lartë kërkon të na çojë në BE. Burg i sigurisë së lartë është kthyer parlamenti”, deklaroi Noka.

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare teksa socialistët kanë zgjedhur të paraqiten në Kuvend para orarit të nisjes së seancës, në përpjekje për të shmangur tensionet me kolegët e opozitës. Edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka mbërritur 30 minuta para.

Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, e thirrur nga deputeti Agron Shehaj.

Ndërkohë, në seancën e sotme do të jetë dhe raporti vjetor për KLSH-në dhe disa projektligje të tjera. Kujtojmë se seanca e kaluar nuk u zhvillua për shkak se kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali njoftoi shtyrjen e saj, në mënyrë që të shmangeshin tensionet, pasi në të njëjtën ditë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ishte në Tiranë për të inauguruar Xhaminë e Madhe të Tiranës.

Garda ka marrë masat e nevojshme në mënyrë që të shmangë përshkallëzimet, pasi opozita e ka bërë të qartë se mosbindja do të vijojë, çka referuar seancave të mëparshme, ka rezultuar në përplasje me anëtarët e gardës dhe konflikt me deputetët e mazhorancës.

Pak orë para seancës parlamentare, PD ka mbledhur grupin parlamentar. Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se grupi parlamentar i PD është mbledhur rreth orës 8:30 dhe më pas do t’i drejtohen Kuvendit, ku opozita ka paralajmëruar mosbindje civile.

Në mbledhje pritet të diskutohet për aksionet e opozitës dhe pjesëmarrjen në seancë, në një kohë kur 24 deputetë vijojnë të jenë të përjashtuar.

Sot Garda ka shtuar masat para institucionit dhe ka vendosur një gardh metalik në hyrje të parlamentit. Dy javë më parë deputetët e opozitës tentuan të hynin në parlament dhe u përplasën me punonjësit e Gardës, por edhe kolegët e tyre socialistë.

RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 72, datë 15.10.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 3.10.2024. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2. Njoftime (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, zonjën Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti z. Agron Shehaj. (Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 e Rregullores së Kuvendit).

4. Raporti për veprimtarinë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023. (Neni 164, pika 2 Kushtetutë, neni 31 i ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, neni 103 i Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratimin e projektrezolutës) Paraqitja e raportit nga kryetari i KLSH, z. Arben Shehu – jo më shumë se 20 minuta Lexohet projektrezoluta nga Komisioni për Ekonominë dhe Financën; Pyetje Zhvillimi i debatit (nëse kërkohet me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 10 deputetë). Koha e votimit të projektrezolutës

5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73- 77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Dhënie mendimi Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Dhënie mendimi Komisioni për Komisioni për Çështjet Europiane. Diskutime (Shprehen grupet parlamentare.) Koha e votimit

6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit””, i ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, dhe neneve 55, dhe 73- 77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Diskutime (Shprehen grupet parlamentare.) Koha e votimit

7. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i tretë. (Në mbështetje te nenit 147, pika 8 të Kushtetutës dhe nenit 35, pika 16 e ligjit nr. 115/2016 “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit).

8. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqesuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i tretë. (Në mbështetje te nenit 147, pika 8 të Kushtetutës dhe nenit 35, pika 16 e ligjit nr. 115/2016 “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit).

9. Projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e kryetarit të Bordit”. (Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, neneve 5 dhe 6, të ligjit nr. 9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, si dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit).

10. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb