SHKUP- Partia opozitare maqedonase LSDM ka nisur sot publikimin e materialeve të ashtuquajtura “bombë” që kanë të bëjnë me biseda të përgjuara në pushtetin aktual.

Në videot që po transmetohen në sallën universale në Shkup, tregohet për biseda të përgjuara që hedhin dritë mbi skandale dhe afera të pushtetit aktual.

Në këto video tregohet për disa raste të manipulimit në zgjedhje se si janë shtypur letërnjoftimet false, apo si janë vjedhur materialet zgjedhore. Në pjesën e përgjimeve opozitare që pritet të bëhen sot publike janë përgjuar edhe funksionarë shqiptarë.

Në bisedat e para të përgjuara telefonike, dëgjohet se si ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, ministri i transportit dhe lidhjeve Mile Janakievski dhe ministri i arsimit Spiro Ristovski porosisin letërnjoftime për tu shfrytëzuar për votime masive dhe të falsifikuara në Strumicë dhe Resnjë. Gjithashtu dëgjohet një zë gruaje e cila theksohet se kjo që po bëjnë është rrezik i madh.

Në bllokun e dytë të bisedave dëgjohet zëri i ministrit të Transportit Mile Janakievski se si ka ardhur tek çelësi i një depoje ku ruhen fletëvotimet dhe se ai merret vesh me shefin e Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov për të grabitur këto materiale dhe për të parë se kush dhe si ka votuar, dhe se ky material do të përdorej për presione ndaj qytetarëve, transmeton Ina.

Kjo video konferencë ku janë të pranishëm gazetarë, qytetarë dhe diplomatë po transmetohet drejtpërdrejt edhe nga gjitha mediat e vendit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: