Nënkryetari i PD-së Edi Paloka paralajmëron se në shtator ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës politike në vend. Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare”, se ndërmjetësimi ka qënë dhe do të jetë i vështirë teksa akuzon Edi Ramën si shkaktarin e krizës së thellë në vend. Zyrtari i lartë i PD-së ka bindjen e plotë se me zgjedhje të lira Rama humbet pushtetin ndërkohë që opozitën e shikon si alternativën e re qeverisëse të vendit.

Edi Paloka hedh akuza ndaj Kryeministrit se po harxhon para për të përçarë opozitën por sipas tij, opozita është më e bashkuar se kurrë në vendimet dhe qëndrimet e saj. Paloka flet për opozitën jashtë intitutecioneve teksa përmend se: “Asnjë pushtet nuk kemi patur as në ‘90 e as në ‘91 dhe fituam me mbi 70% te votave”.

Intervista e Palokës:

Z.Paloka pse kjo tejzgjatje e krizës politike, e cila ka lënë opozitën edhe pa pushime verore?

Kemi jo vetëm tejzgjatje por për fat të keq dhe një thellim të vazhdueshëm të krizës dhe shkaktar i kësaj mbetet ai që ka shkaktuar dhe vetë krizën, Edvin Rama. Pa përsëritur në mënyrë të detajuar të gjithë kronologjinë e ngjarjeve, po kujtoj që opozita u detyrua të marrë vendime të forta si djegia e mandateve parlamentare dhe refuzimi i pjesëmarrjes në zgjedhje lokale si lëvizjet më ekstreme në luftën e saj për rikthimin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Jo pa arsye këto vendime u morën ne unanimitet nga e gjithë opozita dhe po në unanimitet nga gjithë strukturat e PD-së.

Besoni se ishte emergjencë për vendin ky reagim I fortë I opozitës I cili u kundërshtua nga ndërkobëtarët…?

Prej kohësh nga i gjithë opinioni publik, nga shumica e qytetarëve, po kërkohej ky reagim i fortë minimalisht si një sinjal alarmi për këdo që ende nuk po shihte apo kuptonte se cfarë po ndodhte në këtë vend. Opozita ishte koshiente se fillimisht këto lëvizje nuk do të pranoheshin nga një pjesë e ndërkombëtarëve dhe për këtë, si përpara marrjes së vendimeve dhe në vazhdimësi, me durim ju ka shpjeguar arsyet se përse këto akte ishin jo vetëm të nevojshme por edhe të detyrueshme. Sot në këtë terren, situata është krejtësisht ndryshe dhe mund të thuhet se nuk ka më instancë ndërkombëtare që nuk është dakordësuar me opozitën. Sigurisht për këtë ka dhënë “ndihmën” e tij “të cmuar” dhe kryeministri ynë në vrapin e tij të cmendur.

30 qershori veçse thelloi krizën politike në vend…?

Po marr vetëm dy momente thelbësore që lidhen me kauzën e luftës së opozitës; zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që tregojnë qartazi se si e ka thelluar krizën Rama. Opozita kishte vendosur që jo vetëm mos merrte pjesë por dhe të mos lejonte zhvillimin e një farse moniste me 30 qershor. Cili ishte reagimi i Ramës në një situatë të tillë që rrezikonte ta conte vendin në konflikt?. Rama jo vetëm nuk u përpoq të gjente një zgjidhje racionale sic do të bënte cdo shtetar normal, por rriti dozat e arrogancës e ndërkohë që vetë lëvizte i rrethuar me një ushtri me roje, përgatiti bandat për përplasje me qytetaret ditën e zgjedhjeve moniste. Këtë situatë e zgjidhi institucionalisht dhe ligjërisht Presidenti i Republikës duke anulluar në fillim 30 qershorin si datë zgjedhjesh e duke caktuar më pas 13 tetorin, me shpresën se ndërkohë do të arrihej një marrëveshje mes palëve.

Vetë Presidenti por dhe Bundestagu u ofruan të ndërmjetësonin për zgjidhjen e krizës. Të dy ofertat u hodhën poshtë nga Rama që vazhdoi me vrap edhe më të cmendur drejt marrisë së tij.

Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës,(i cili është dhe autoriteti përgjegjes për kontrollin e zgjedhjeve lokale) e anulloi misionin e tij vëzhgues duke njohur dekretin e Presidentit. Por Rama vendosi të zhvillojë proces votimesh edhe pse zgjedhjet ishin anulluar! Jo veëm kaq, po ai implikoi në këtë akt antiligjor e antikushtetues dhe ato që do duhej të konsideroheshin institucionet e pavarura të zgjedhjeve si KQZ apo Kolegji Zgjedhor, duke i diskretituar plotësisht si shërbetor të bindur të pushtetit deri në vetësakrifikim. 30 qershori u kthye në një dështim total të Ramës që“kërkoi të vinte vetulla e nxorri syte”. Rama dështoi të nxirrte qytetarët në votimet e tij farsë. Nuk i bën fajde as kërcënimet e  as joshjet, në fund e braktisën dhe vetë socialistet.I dështoi dhe skenari që do të mbulonte dështimin, skenari i dhunës. Rama nuk mund të justifikonte me mospjesëmarrjen e qytetarëve në farsën e tij, me “dhunën” e opozitës. I kapur gafil, u detyrua të bëj gafën e rradhës; urdhëroi mbushjen e kutive të votimit në sy të të gjithëve. Vodhi e manipuloi dhe votimet ku ishte krejt i vetëm. E bëri dhe në mënyrë aq të trashë sa sot e kësaj dite nuk di njeri se cfarë ka shkruajtur në procesverbale për “rezultatin”. (Të gjitha këto akte sot janë të evidentuara në raportin e OSBE-ODIHR). I diskretituar plotësisht, në vend që të ndalej, Rama kaloi cdo cak në cmendurinë e tij; pushtoi me dhunë zyrat e bashkive dhe futi me polici në to të emeruarit e tij, gjysma e tyre subjekte të ligjit të dekriminalizimit.

Si ndikoi te kriza politike publikimi i dosjeve 339 dhe 184?

Pikërisht momenti i dytë është i lidhur me atë cfarë po ndodh me dosjet 339 dhe 184. Denoncimi nga BILD dhe zbardhja e përgjimeve të këtyre dosjeve, vërtetuan për këdo akuzat e opozitës se Rama ka ngritur një strukturë të tërë, ku në bashkepunim krimi dhe pushteti manipulojnë zgjedhjet që kur Rama është në pushtet. Këto prova i dhanë legjitimitet të plotë qëndrimeve dhe luftës së opozitës përfshi kërkesën për largimin e Ramës kryeministër si kusht për zgjedhje të lira. Disa prej ndërkombëtarëve, me logjikën që do duhej të funksiononte në një shtet normal (Shqipëria është vend antarë i NATO-s dhe kandidat për BE) deklaruan se këto cështje duhet ti zgjidhë drejtësia megjithëse opozita e bëri të qartë në kohën e duhur se prokuroria është e kapur dhe tërësisht në shërbim të Ramës. Ajo që ndodhi së fundmi me dosjen 184 jo vetem i dha për të mijtën herë, të drejtë opozitës, po vërtetoi se Rama nuk ka ndërmend të ndalet madje duke dalë dhe kundër atyre që deri dje i paraqiste si mbështetës të qëndrimeve të tij. Kujtoj këtu që zoti Palmer ka qënë i fundit që theksoi se dosja 184 është një dosje që duhet marrë seriozisht. E Rama e mori seriozisht, e zhduku! Katicat e tij në prokurori i shkuan deri në fund aktit të vetëflijimit për ti shërbyer shefit të tyre.

Kundrejt këtyre që thoni, PD ka intensifikuar aksionin e saj politik deri në vendime radikale por Edi Rama sërish është në krye të qeverisë. Për cilat arsye…?

Ju a shpjegova më lart se si Rama, shkaktar i krizës, me cmendurinë e tij po con në tejzgjatjen dhe thellimin e krizës, pavarsisht qëndrimeve të opozitës dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e saj. Pse-ja e kësaj është po ashtu në sytë e të gjithëve. Opozita -thatë ju- nuk ka bërë pushime këtë verë dhe kjo është e vërtetë. Por ai që realisht nuk ka “pushuar” asnjë minute është Edvin Rama! Edhe pse freskohet në ujrat e Jonit, Rama nuk ka pushuar asnjë minutë së vjedhuri e grabituri shqiptarët bashkë me velinën e tij në bashkinë e Tiranës, tufën e hajdutëve në qeveri dhe bandën e oligarkëve dhe kriminelëve rreth vetes. Kjo ështe arsyeja pse Rama nuk lejon po përkundrazi po e thellon më shumë krizën në Shqipëri. Zgjidhja e krizës vjen vetëm nga zgjedhje të lira, por Rama nuk mund ta pranojë këtë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme për Ramen përkthehen në humbje të pushtetit që do të thotë se jo vetëm nuk do të mundet më të sundoje me arrogance, nuk do mundet më të grabisë, por do ti duhet të jap llogari dhe për gjithë të zezat që ju ka bërë shqiptarëve deri më sot.

Duket se stina e nxehtë të verës ka kondicionuar dukshëm aksionin politik i opozitës, duke mos u radikalizuar atë. Kur do të ketë një tjetër protestë kombëtare?

Po vërtetë që gushti nuk është muaji më i përshtatshëm për aksion opozitar por po kaq e vërtetë është që opozita nuk është ndalur asnjë moment me të gjitha format e reagimit përfshi dhe protestat. Sigurisht në muajt pasues do të ketë jo vetëm intensifikim lëvizjet e opozitës por priten dhe lëvizje të faktorit ndërkombëtar per zgjidhjen e krizës. Ajo cfare ka rëndësi të theksohet është se sot ka një vlerësim pothuajse të përbashkët, kombëtar dhe ndërkombëtar se në Shqipëri zgjidhja e krizës vjen nga zgjedhje të lira e të ndershme dhe Rama nuk mund të jetë garanci për këtë, përkundrazi.

Ju thoni se së në muajt pasues do të ketë lëvizje të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës por përse kaq i vështirë ndërmjetësimi mes mazhorancës dhe opozitës nga ana e Presidentit apo ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërcit politik?

Ndërmjetësimi ka qënë dhe do të jetë i vështirë sepse shkaktari i krizës, për gjithe arsyet që ju thashë më lart, nuk pranon t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës prandaj kundërshton cdo ofertë që i bëhet për ndërmjetësim! Megjithatë le të presim shtatorin kur dihet që do të ketë disa lëvizje nga ndërkombëtarët për këtë cështje! A do vazhdojë Rama me kokëfortësi të shkojë drejt humnerës duke tërhequr zvarrë dhe shqiptarët?! Këtë do e shohim.

Presidenti Ilir Meta sipas jush me vendimet e tij e ndihmoi apo e ndërlikoi edhe më tepër krizën në vend?

E permenda më parë që anullimi i 30 qershorit dhe caktimi i 13 tetorit si datë zyrtare për zgjedhjet e pushtetit lokal shmangu përplasjen që dukej se ishte projektuar qartë në se 30 qershori do të mbetej zyrtarisht dite e votimeve moniste. Ai që do duhej ta përdorte këtë akt të Presidentit për të zgjidhur situatën (sepse në një farë mënyre ju dha një dorë për këtë) e keqpërdori duke futur vendin dhe veten në kaos total. Shihni vetëm cfarë po ndodh në Shkodër! Sot Rama është futur në rruge pa krye. Kërkon të zgjidhë shkeljet ligjore e kushtetuese që ka bërë deri tani, me shkelje edhe më të rënda duke u zhytur e zhytur pafundësisht.

Z.Meta i ka ofruar PD-së edhe modelin sesi të përballeni me mazhorancën, duke ju treguar opozitën serbe në përballjen e saj me Milosheviçin. PD njeh dekretin e presidentit, por, nga ana tjetër, nuk merrni pjesë në zgjedhje….

Opozita ka marrë vendimet e saj për mënyrën se si do të përballet me Ramën. Sigurisht ka disa mënyra për tu përballur, ka dhe mendime të ndryshme për këtë! Ka mendime të ndryshme dhe për mënyrën se si duhet “hequr” Rama … Një gjë është e sigurtë që opozita ka vendosur të vijë në pushtet me zgjedhje dhe po lufton me cdo mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Protestat nuk e rrëzuan Edi Ramën ndërkohe që zgjedhjet u bën. Zgjedhjet parlamentare duket të largëta kurse pas mbeti një tymnajë institucionale, ekonomike e njerezore. Në një kaos të tillë si do ja dalë opozita…?

Protestat nuk e kanë rrëzuar ende Ramën, por kanë treguar qartazi se sot shumica absolute e shqiptarëve jo vetëm janë kundër tij, por janë gati të sakrifikojnë për rrëzimin e tij! Në cdo vend normal, pas gjithë skandaleve që kanë kapluar këtë qeveri dhe me gjithë atë revoltë që ka ngjallur tek qytetarët e saj, do të ishte larguar cdo qeveri. E nuk e kam fjalën për vende ku ministrat japin doreheqje pse përdorën telefonin e punës gjatë pushimeve…Mjafton të shohim rrotull nesh, ku për ceshtje morale që janë ku e ku larg edhe me skandalin më të vogel të qeverise Rama, janë dhënë dorëheqje e vendet shkojnë në zgjedhje. Rama ndërkohë ka vendosur që zemërimit popullor ti përgjigjet me dhune e me Llesh, me gaz e me burgje. E sigurisht që ekonomia shkon drejt rrënimit total dhe vendi drejt kaosit. Një qënie që për interesin e tij është gati të sakrifikojë dhe njerëzit e tij të aferm, nuk shqetsohet për humneren ku con të tjerët edhe pse në këtë rast humnera është përpara tij.

E mbetur jashtë institucioneve, jashtë sistemit, a po rrezikon opozita shkrirjen e saj?

Opozita “jashtë institucioneve” ishte dhe kur ishte “brenda” sepse praktikisht shërbente vetëm si fasadë. Ju jeni dëshmitare që opozita në 5 vjet bëri të gjitha përpjekjet për të bërë një opozitë institucionale, por ju prenë të gjitha rrugët e ju hoqën të gjitha të drejtat edhe ato më elementare që ja njeh Kushtetuta. Atëherë cili ishte funksioni i opozitës në institucione?! Opozita “pa asnje pushtet”… Asnjë pushtet nuk kemi patur as në ‘90 e as në ‘91 dhe fituam me mbi 70% te votave. Lufta jone nuk bëhet as për disa karrige kryebashkiakesh që me zemërgjerësi mund të na “falte” Rama, as për disa vende pune. Shqiptarët do të vendosin me votë të lirë shumë shpejt se kujt duan t’ja besojnë të ardhmen e tyre si në qeverisjen qëndrore ashtu dhe në atë lokale.

A është opozita e bashkuar, duke qenë se LSI-ja ka bërë një kërkesë që të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 tetorit dhe nga ana e Partisë Demokratike nuk u bë një kërkesë e tillë. Ka një përçarje brenda opozitës?

Opozita është më e bashkuar se kurrë në vendimet dhe qëndrimet e saj e cfarë është më e rëndësishme me opozitën është bashkuar populli. Rama vazhdon të harxhojë para për të përcarë PD-në, për të përcarë opozitën e për të mashtruar shqiptaret, po këto janë “investimet” me pa vlere që ka bërë ndonjëherë edhe pse në këtë “biznes” është ekspert.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb